Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë 5 fshatra në ishullin grek Evia. Më shumë se 330 zjarrfikës, të ndihmuar nga tetë aeroplanë me ujë, nëntë helikopterë dhe më shumë se 100 automjete, po përpiqen t’i venë flakët nën kontroll. Autoritete greke kanë urdhëruar evakuimin e banorëve pasi në zonë paraqitet rrezikshmëri e madhe.

Ndërkohë, një 64-vjeçar është vënë në pranga pasi dyshohet se ai është shkaktari i kësaj katastrofe në këtë zonë. Sipas deklaratave të marra nga ana e komshinjve të 64-vjeçarit, ai fillimisht ka ndezur disa barishte të cilat i kishte në afërsi të oborrit, por era e fortë ka përhapur flakët me shpejtësi.

Deri tani dëmet materiale janë të shumta, por nuk raportohet për jetë të humbura. Në vendin fqinj periudha e verës është mjaft problematike sa i përket çështjes së zjarreve. Kujtojmë se një vit më parë si pasojë e zjarreve 101 persona humbën jetë në Athinë dhe disa të tjerë akoma rezultojnë të zhdukur.

Klan Plus