Greqia ka “indikacione serioze” se zjarri që vrau të paktën 86 persona pranë Athinës më parë gjatë kësaj jave, u shkaktua me paramendim, thotë Ministri i Mbrojtjes së Qytetarëve, Nikos Toskas.

Zjarri shpërtheu të hënën dhe goditi fshatrat bregdetare të populluar me turistë. Rreth 60 persona po trajtohen në spital, 11 prej të cilëve janë nën kujdes intensiv. Dhjetëra të tjerë mungojnë. Më parë, punonjësit e shpëtimit gjetën më shumë trupa të pajetë në një shkëmb në Mati.

Një numër i madh personash kishin ngecur pranë shkëmbit, ndërkohë që flakët përhapeshin me shpejtësi nga erërat që frynin deri 120 km / h. Shumë nga të mbijetuarit u shpëtuan nga deti, por dhjetëra viktima nuk arritën të hynin dot në ujë.

Toskas gjithashtu tha se një zjarr tjetër që shpërtheu afër Athinës, por nuk shkaktoi viktima, ishte nisur me dashje. Ai shtoi se “kushtet klimatike” në zonat e prekura nga zjarri ishin “ekstreme për shkak të ndryshimeve klimatike”.

Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kammenos, tha për BBC se ndërtimet pa leje kishin kontribuuar në këtë fatkeqësi. Ai tha se ndërtimet nga banorët midis zonave të pyllëzuara ishin një “krim” që kishte rezultuar në bllokimin e rrugëve të shpëtimit.

Kammenos u përball me vendasit e zemëruar kur vizitoi zonat e shkatërruara nga zjarret në lindje të Athinës këtë javë. Pasi arriti në Mati, ku shumë njerëz vdiqën, Kammenos u rrethua nga banorët që e akuzuan se i ka braktisur ata. Por ai argumentoi se veprimet e disa banorëve kishin mbyllur rrugët për në plazh. “Ky është një krim nga e kaluara”, tha ai. “Të gjithë këto ndërtime, shumica prej tyre janë pa leje dhe kanë lënë zonën e bregdetit pa rregulla”.

Në mesin e personave të zhdukur janë vajzat binjake 9-vjeçare Sophia dhe Vasiliki, të cilat ishin me gjyshërit e tyre pranë Matit kur ra zjarri.

Burimi: BBC 

Përshtati: tvklan.al