Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një tragjedi të madhe në vendin tonë. 51 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur, në zonat që u prekën nga tërmeti. Ka qenë të shumtë, ata që kontribuan në lehtësimin e situatës së vështirë.

Janë konsideruar si “Heronjtë e heshtur”, që punojnë shumë dhe flasin pak, që nuk u dorëzuan para asnjë rreziku apo vështirësie, gjatë aksionit për të nxjerrë njerëzit e mbetur nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit, forcat policore, ushtarakët, por edhe qytetarët e thjeshtë u bënë bashkë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve të prekur nga tërmeti.

Një grup zjarrfikësish ishin të ftuar ditën e sotme në programin “Historia ime”, ku kanë treguar vështirësitë dhe rrezikun gjatë zhvillimit të aksionit për të nxjerrë njerëzit nga rrënojat si pasojë e tërmetit të tërmetit të 26 Nëntorit, por edhe vështirësitë që mbart vetë profesioni i tyre dhe me të cilat ju duhet të përballen çdo ditë.

Zjarrfikësi Astrit Çela ka treguar në studio një rast që ka ndodhur para një muaji dhe që ka qenë vërtet i vështirë dhe shumë prekës për të.

Astrit Çela: Para një muaji, na njofton salla që nuk iu përgjigjet fëmija familjarëve, kishte qenë në stërvitje. Ata kishin bërë të pamundurën. Bjer derës sa nuk e kishin shqyer edhe vetë, e kishin goditur derën, nuk hapej. Komshiu lart bëri të mundur të hidheshim me litar, na u desh të hipim 3 kate më lart për t’u hedhur me litar. Aty nuk e di, po qanin edhe komshinjtë, një djalë i vogël 12 vjeç, iu thashë qetësohuni se do ta trembni më shumë. U hodhëm nga ballkoni, e hapëm derën dhe i thashë të dy prindërve: Iu thashë mos u shqetësoni. Fëmija ishte i lodhur në gjumë, faktikisht u tremba pak sepse siç ishte i shtrirë në divan, një këmbë e kishte nxjerrë jashtë divanit dhe një dorë. U afrova, e pashë që ishte mirë, i ngrita këmbën dhe dorën, e shtyva dhe ju thashë: Mos u shqetësoni se fëmija është mirë. Kur e hapëm m’u hodhën në qafë 6-7 veta./tvklan.al