Emisioni “Stop” ka udhëtuar sot drejt Korçës për një problematikë që vjen nga zjarrfikësit e këtij qyteti.  Punonjësit e stacionit të zjarrfikëses kanë denoncuar faktin, që nuk marrin pagesat që ju takojnë.

Kastriot Ahmeti, me pozicion pune shofer zjarrfikës, tregon se e ka shumë të vështirë të punojë  pasi makinat janë shumë të vjetra dhe nuk ndizen. Po ashtu ai tregon se makinat nuk kanë kolaudim dhe siguracione dhe çfarëdo lloj gjëje, që ndodh me automjetet i paguajnë shoferët.

Jam pjesëtar i forcave zjarrfikëse në qytetin e Korçës prej 21 vitesh. Mos të themi për kushtet që jetojmë, mjetet me të cilat lëvizim që janë në kushte skandaloze. Unë jam shofer, me to mund të rrezikohesh çdo minutë. Nuk na ndizen“, tha Ahmeti.

Të njëjtat probleme tregon edhe Emir Mero.  “Jam shofer zjarrfikësit, makinat nuk kanë siguracion, nuk kanë kolaudim. Nëse bëj një aksident, unë makinën e paguaj nga xhepi. Ne punojmë në kushte… Ne kemi ngritur këto kërkesa“, ka thënë Mero.

Për problematikën e sektorit, u drejtuam tek drejtori i MZSH Korçë, i cili pranon se makinat janë të vjetra dhe ai e ka ngritur zërin, por shton se nuk e dëgjon njeri.

Gazetarja: A janë me siguracione makinat?

Drejtori: Po, një pjesë janë me siguracion, të tjerat s’janë me siguracion, sepse nuk janë në sistem.

Gazetarja: Në cilin sistem?

Drejtori: Në drejtorinë rajonale të shfrytëzimit të mjeteve. Ato kanë qenë me targa policie dhe nuk janë në sistem. Tërë makinat janë në sistem. Ato kanë që nga Ministria e Brendshme.

Kemi bërë demarshe, për t’i regjistruar, ata nuk na i regjistrojnë. Nuk janë në sistem, janë shumë të vjetra makinat. S’diskutohet dhe neve jemi në siklet. Unë kam 30 vjet në këtë shërbim. Edhe neve e dimë këtë.

Gazetarja: Aq më keq, që e dini, sesi i keni kushtet, gjërat dhe nuk ngrini zërin.

Drejtori: Po e kemi ngritur zërin neve.

Gazetarja: Kërko makina të tjera!

Drejtori: Po kam kërkuar të regjistrojnë, makina të tjera të blejnë, s’po na vijnë.

Shefi i repartit: Ka automjete nga këta, që kanë ardhur dhe dokumentacionet kanë mbetur. Tani se për faj të kujt…

Gazetarja: Si kanë mbetur?

Shefi: Kanë mbetur nëpër dogana, se janë donacione më shumë.

Gazetarja: Keni bashki, keni hierarki.

Drejtori: Në rregull dhe unë ua kam bërë prezent. E dinë ata. Si do bëjmë? Ngrenë duart. S’ka zgjidhje? S’ka zgjidhje.

Gazetarja: Kush ju thotë, që ngrenë duart?

Drejtori: Po ngrenë duart. S’ka zgjidhje.

Gazetarja: Në qoftë se ty nuk t’i regjistrojnë dhe nuk figurojnë në sistem, ke një institucion, ku duhet të drejtohesh. Nuk kam automjete.

Drejtori: Po pra! Kam trokitur dhe këto automjete janë. Vazhdoni siç kini qenë! S’ka fonde.

Gazetarja: Kush s’ka fonde?

Drejtori: S’kanë fonde ata, që na mbështetin.

Gazetarja: S’ka fonde bashkia?

Drejtori: I kemi thënë si do bëjmë? Kemi disa probleme të tjera.

Bledar Bajrami, kryetar i sindikatës së zjarrfikësve shprehet se kushtet janë skandaloze, veshjet që duhet t’i siguronin bashkitë punonjësit i blejnë vetë. “Kushtet nuk plotësohen nga bashkitë, bashkia është direkt punëdhënësi. Po flasim për kushtet skandaloze që jetojnë zjarrfikësit“, është shprehur ai.

Ai kërkon nga shteti që të investojë për zjarrfikësit, pasi nuk i kërkojnë për vete por për t’iu ardhur në ndihmë sa më mirë qytetarëve./tvklan.al