Një zjarr i madh ka bllokuar disa persona në Kaliforni të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Autoritetet kanë nisur një operacion shpëtimi për qytetarët që janë zënë në grackë nga flakët e zjarrit në një park. Ata po shpëtohen nga ajri përmes helikopterëve.

Dhjetra njerëz janë shpëtuar deri më tani, ndërsa operacioni i shpëtimit po vijon ende për të tjerët që kanë mbetur të bllokuar. Nuk dihet saktësisht numri i personave që ndodhen brenda parkut. Dy vetë janë plagosur rëndë nga flakët e zjarrit, ndërsa 10 të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta.

Zjarri në këtë park ka përfshirë deri më tani 5000 hektarë pyje. Shuarja e tij është e vështirë për shkak edhe të terrenit të thyer malor.

Kalifornia po përjeton një valë të nxehti me temperatura që shkojnë deri në 49 gradë Celsius, që sipas meteorologëve, konsiderohen të pazakonta dhe të rrezikshme. /tvklan.al