Me anë të një deklarate për shtyp Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shprehu keqardhjen për ngjarjen tragjike të autobusit të besimtarëve në Krujë, duke ngushëlluar njëkohësisht familjarët e viktimës që humbi jetën.

Kreu i Shtetit, shprehu urimet për një shërim sa më të shpejtë të të lënduarve si dhe i bëri thirrje Qeverisë dhe institucioneve përkatëse që të ofrojnë ndihmë të specializuar jashtë vendit, nëse është e nevojshme.

Kryeministri i vendit Edi Rama vizitoi të plagosurit në Spitalin e Traumës. Kreu i Qeverisë ka qëndruar disa minuta ndërsa pas daljes nuk dha një deklaratë për mediat.

Keqardhje për ngjarjen  ka shprehur edhe kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha. Duke ngushëlluar familjarët e viktimave Basha uron që pasojat e këtij aksidenti të mos rëndohen më tej dhe që të lënduarit të kenë shërim sa me të shpejtë.

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së ka shkuar në QSUT për të parë nga afër gjendjen e pacientëve të plagosur, si pasojë e djegies së autobusit. “Këto janë aksidente të përsëritura dhe duhen kontrolle teknike më rigoroze ndaj këtyre mjeteve. Nëse është e nevojshme të hiqen nga qarkullimi. Duhet të jemi të rreptë se humbasim jetë njerëzish”, tha Vasili për mediat./ TV KLAN