Paraprakisht dyshohet se shkak u bë një shkëndijë elektrike

“Zjarri që përfshiu fabrikën e bojës nisi nga ambientet e brendshme. Kështu deklaroi roja i sigurisë, personi i parë që konstatoi flakët në fabrikën e bojës”, raporton gazetari i Tv Klan Merin Maçi.

Nisur nga kjo dëshmi por dhe veprimet e para hetimore ka dyshime se një shkëndijë elektrike u bë shkak i zjarrit masiv në fabrikën që duket krejtësisht e shkrumbuar.

U dëshën më shumë se 4 orë për të vënë në kontroll flakët që pushtuan objektin në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të Maminasit.

Lëndët kimike që ndodheshin brenda fabrikës si lëndë e parë për prodhimin e bojërave kanë ndihmuar që zjarri të përhapej me shpejtësi.

Megjithatë ndonëse tashmë flakët janë shuar, siç edhe mund te shihet tymi në vendin ku ra zjarri vijonte ende edhe në mesditën e së dielës. Flakët që përfshinë fabrikën e bojrave nisën rreth orës 22:30 të mbrëmjes së të shtunës. Në momentin që ra zjarri, brenda në punishte nuk ka patur punonjës, por vetëm rojet të cilët kanë qenë në ambientet e jashtme të fabrikës.

Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste vatra e zjarrit, policia evakuoi banorët që jetonin pranë fabrikës dhe bllokoi për disa orë kalimin në autostradën Tiranë-Durrës.

1 ditë pas ngjarjes reagoi dhe vetë kompania që zotëron fabrikën e bojrave. Përmes një mesazhi, ajo falenderoj autoritetet për angazhimin e treguar në shuarjen e flakëve në fabrikën të shkrumbuar nga zjarri masiv.

Tv Klan