Këto janë pamjet e fabrikës së këpucëve në Shullaz të Kurbinit, ku njëra nga magazinat që mbante lëndën e parë u shkrumbua totalisht së bashku me depozitën e naftës.

Zjarri ra rreth orës 21:10 minuta të mbrëmjes së të premtes. Ishin rojet e objektit të cilët njoftuan zjarrfikësit dhe policinë.

Për shuarjen e flakëve të zjarrit u angazhuan mbi 50 forca zjarrfikëse të ardhur nga Tirana, Kamza, Mirdita, Lezha dhe Laçi.

Nga zjarri që ra në fabrikë u rrezikuan edhe banesat pranë saj për shkak të erës së fortë, por falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse u bë e mundur që pas 4 orësh zjarri të vihet nën kontroll.

Njëri nga bashkëpronarët e firmës ngre dyshime se zjarri ka ardhur nga një shkëndijë elektrike, të një linje që kalon mbi objekt, ndërsa thotë së dëmi është i madh ku po bëhen edhe përllogaritjet.

Ekspertet e policisë kanë marrë deklaratën e pronarit të fabrikës në lidhje me djegien e magazinës ku ky i fundit mësohet të ketë thënë para hetuesve se nuk ka asnjë konflikt duke shuar dyshimet për zjarr të qëllimshëm.

Ndërkohe i gjithë objekti është nën monitorimin e kamerave të sigurisë çka ndihmon me shumë grupin hetimor ne zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.

Kjo fabrikë këpucësh operon në qytetin e Laçit prej më shumë se 30 vitesh, ndërsa aktualisht janë të punësuar rreth 450 punonjës.

Klan News