Zjarri në magazinë, flet xhaxhai i shefit të sigurisë: Shpëtoi 25 veta, vetë mbeti i bllokuar



Zjarri në magazinë, flet xhaxhai i shefit të sigurisë: Shpëtoi 25 veta, vetë mbeti i bllokuar

23:17 24/03/2021

Xhaxhai i shefit të sigurisë Arjan Sala që dyshohet se ka mbetur i bllokuar te magazina që u përfshi nga zjarri pranë mbikalimit të Kamzës, ka folur për mediat duke bërë apel që të shtohet numri i forcave të emergjencës.

Në një komunikim për gazetarët nga vendngjarja, xhaxhai i 33-vjeçarit tregoi edhe momentin kur humbën kontaktin me të.

Sipas tij, pasi ra zjarri në magazinë, Arjan Sala nxorri nga ambienti i nëndheshëm 25 punonjës të tjerë dhe më pas u rikthye për të hapur edhe hidrantin kundër zjarrit.

Por në atë moment ai humbi kontaktet dhe nuk e ka parë askush e nuk përgjigjet në telefon. Dyshohet se 33-vjeçari ndodhet i bllokuar ose i asfiksuar nga tymi.

Shteti të ngrihet në këmbë dhe mos flejë gjumë, të zgjohen nga gjumi dhe të vënë në lëvzje çdo lloj instance dhe të gjejnë djalin. Thonë nuk kemi arritur të futemi dhe të kontrollojmë zonën se është e paarritshme. Sot më rastisi që të shoh në çfarë gjendje e kemi shtetin. Sot po shoh që nuk janë aty ku duhet të jenë. Ai ka shpëtuar mbi 25 veta, kush ka qenë aty poshtë i ka nxjerr të gjithë. Ka hapur dhe hidrantin për të fikur zjarrin, pjesa tjetër nuk dihet. I bëj apel shtetit, ju lutem të vijnë dhe 15 të tjerë. Ku do shkosh 3 zjarrfikës në 1 mijë metër katrorë sipërfaqe. Grupi i fundit ka ardhur në 7 e gjysmë, 8 (20:00). Edhe një herë më shumë le të vijnë. Ta gjejnë se një prind me fëmijë 2 vjeç. Ne që jemi gjallë po shpërthejmë, jo më ai që jeton apo s’jeton akoma”, tha xhaxhai i shefit të sigurisë së magazinë.

Objekti u përfshi nga flakë të mëdha të zjarrit rreth orës 16:40. Zjarri është fikur, por ka ende tym që vështirësojnë ndërhyrjen e zjarrfikësve brenda ambienteve të magazinës. Zona mbahet e rrethuar nga policia. /tvklan.al







Të ngjashme