Të paktën 3 persona humbën jetën dhe 30 të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një zjarri të rënë në një bllok apartamentesh në Parisin qendror këtë të shtunë. Nga flakët në kryeqytetin francez humbi jetën një grua, pasi u hodh nga dritarja, ndërsa dy të tjerë vdiqën si pasojë e asfiksisë.

Flakët u raportuan fillimisht rreth orës 5 të mëngjesit në një ndërtesë të vitit 1970, në 11tharrondissement. Zona kishte qenë e populluar gjatë gjithë natës për shkak të festivalit të përvitshëm të muzikës, që u zhvillua për herë të 38-të.

Zjarri dyshohet se ra në shkallët e ndërtesës 6 katëshe, në Rue de Nemours, duke bllokuar kështu daljen e banorëve. Ende nuk dihet shkaku i këtij zjarri, flakët e të cilit u përhapën në ndërtesat që ndodheshin pranë, përfshirë një sauna dhe një restorant.

Rreth 200 zjarrfikës u angazhuan për shuarjen e flakëve, të cilat u vunë nën kontroll rreth orës 9 të mëngjesit. Një prej të plagosurve raportohet se ndodhet në kujdes intensiv, ndërsa 29 të tjerët po trajtohen për plagë më pak serioze./tvklan.al