
Zjarri në pallatin 10-katësh në Astir
Hetohen konfliktet e ndërtuesit, që ishte ‘shënjestër’ e sulmit
2 ditë nga zjarri që përfshiu pallatin 10-katësh në zonën e astirit, në fasadën e ndërtesës vijon të jetë bloza e krijuar nga tymi që pushtoi për disa orë banesat e banorëve.
Ndonëse kanë kaluar më shumë se 48 orë nga ajo ngjarje, policia ende nuk ka rënë në gjurmët e autorit të zjarrvënies së qëllimshme nga e cila u shkrumbuan 4 makina.
Mes tyre dhe 3 automjete të familjarëve të ndërtuesit të pallatit, Dritan Llanaj. Pikërisht automjetet e të afërmve të këtij të fundit dyshohet se ishin dhe shënjestër e këtij zjarri të qëllimshëm në orët e para te mëngjesit. Hetuesit janë përqëndruar tek konfliktet që Llanaj mund të ketë, konkretisht në fushën e ndërtimit ku prej vitesh ushtron dhe aktivitet.
Nga ekspertiza paraprake e bërë nga sherbimi zjarrfikës pallati nuk ka marrë dëmtime në strukturë ndërsa shkak i pushtimit të tij nga tymi është bërë bllokimi i një prej korridoreve të ajrimit, pasi në tarracë është bërë një ndërtim.
Pronari i pallatit 10- katësh, Dritan Llanaj është një emër i njohur për autoritetet pasi më parë ai është ndaluar nga policia për falsifikim dokumentash dhe mashtrim. Gjithashtu ai rezulton të jetë vëllai i Sino Llanajt gjithashtu ndërtues, edhe ky i njohur për policinë pasi në Janar të 2021 pas një konflikti me ortakun e tij për një pallat në rrugën ‘Ndre Mjeda’ u plagos me armë zjarri.
Tv Klan