Policia arreston Ardit Ujkan dhe Milton Ivanaj, si të dyshuar

Kjo është ajo çfarë ka mbetur nga kurora e gjelbër në zonën e Shëngjinit. Dhjetëra hektarë pyje u shkrumbuan nga flakët. Policia ka hedhur dyshimet se zjarri ka qenë i qëllimshëm.

“Këto janë dyshimet e policisë së Lezhës e cila ka arrestuar për këto ngjarje Ardit Ujkan dhe Milton Ivanaj si persona përgjegjës për këtë zjarrvënie”.

Dy të arrestuarit dyshohet se kanë patur për qëllim hapjen e zonës për kullota. 

Terreni i vështirë bëri të mundur që flaket të vihen nën kontroll vetëm gjatë mëngjesit të së shtunës. Situata është përmirësuar dhe falë rënies së shiut. Në këtë zonë u angazhuan rreth 200 forca të emergjencës.

Në 2 ditë flakë, në malin e Shëngjinit u regjistruan edhe shpërthime të ndryshme predhash, e kjo vështirësoi akoma më shumë ndërhyrjen e Ushtrisë.

Në malin e Shëngjinit ka ende vatra të vogla zjarri dhe rreziku i përhapjes së tyre është i madh, për shkak të erës së fortë.

Në zonë janë ende zjarrfikëset dhe ushtria, për të qenë në gatishmëri të rinisjes së flakëve.

Në zonën e Shëngjinit zjarret e qëllimshme janë bërë të zakonshme.

Kjo është situata e krijuar nga zjarrvënia e qëllimishme gjatë 2018. E njëjta pamje shoqëroi banorët dhe pushuesit e Shëngjinit dhe gjatë 2017. Emergjencat Civile numërojnë në muajt e fundit 85 raste zjarresh që kanë shkrumbuar 620 hektarë.

Tv Klan