Ditët e fundit ka pasur disa zjarre që janë shënuar në zona të ndryshme të vendit, kryesisht të vënë me qëllim nga autorë të ndryshëm.

Kryeministri i vendit Edi Rama vlerëson Policinë e Shtetit për kapjen e zjarrvënësve duke u bërë apel gjykatësve në rrethe që të ndëshkojnë çdo person që kryen një akt të tillë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook Rama thotë se zjarrvënia e qëllimshme përbën një krim barbar e si i tillë në bazë të ligjit dënimi është deri në 15 vite burg.

“Një bravo e madhe për Policinë e Shtetit që këtë verë u është qepur këmba-këmbës zjarrvënësve, duke arritur t’i kapë dhe çojë prapa hekurave, si në rastin e kriminelëve që i vunë zjarrin pyllit në Laç, për të cilët përsëris, si për gjithë të arrestuarit e tjerë, apelin në adresë të gjykatësve në rrethe, që të mos vazhdojnë me avazin e tyre të vjetër të mosndëshkimit të një krimi barbar si ky, i cili në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë dënohet deri 15 vjet burg.  Një falënderim i përsëritur për trupat e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, e cila e ka rritur ndjeshëm nivelin e performancës gjatë këtij sezoni turistik, duke e mbrojtur me profesionalizëm e shpirt sakrifice pasurinë e paçmueshme natyrore dhe ulur në mënyrë të konsiderueshme dëmet potenciale të këtyre krimeve të neveritshme në verbërinë, shpirtligësinë, marrëzinë e tyre”, shkruan kreu i qeverisë.

Kujtojmë se edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri thirrje ditën e djeshme për vënien e autorëve të zjarrit para drejtësisë, duke theksuar se nuk do të ketë asnjë tolerim./tvklan.al