Numri i tyre është rritur vitet e fundit për shkak të motit të ngrohtë dhe ushqimit

Zogjtë shtegtarë kanë pushtuar këtë vit fushat e Hungarisë Lindore. Për shkak të motit jashtëzakonisht të ngrohtë këtë vjeshtë, rreth 194,000 zogj shtegtarë po qëndrojnë në këto këneta të cekta dhe duket se nuk kanë ndërmend të largohen nga ky mjedis.

Parku Kombëtar Hortobagy në Hungari është një nga zonat më të preferuara për zogjtë shtegtarë, të cilët ndalojnë këtu në fluturimin e tyre nga Evropa veriore në Afrikë, për të ushqyer dhe mbledhur forcë përpara udhëtimit të tyre të gjatë.

Këtë vjeshtë, ata janë mbipopulluar dhe sipas Attila Szilagyi, roje e këtij parku thotë se për shkak të temperaturave të ngrohta mbi 20 gradë Celsius po krijohet mjedisi ideal për ta.

Zogjtë shtegtarë po kalojnë këtu më shumë kohë se kurrë më parë. Rekordi i mëparshëm ishte në vitin 2018 kur zogjtë që qëndruan këtu ishte 160,000, ndërsa këtë vit ku numër është më i madh pasi kemi numëruar 194,000 zogj.”

Ajo shpjegon arsyet se pse zogjtë shtegtarë po zgjedhin të qëndrojnë më shumë në këtë zonë.

“Kemi pasur rrethana shumë favorizuese që kanë bërë që kaq shumë zogj të kalojnë kohë këtu. Moti ka qenë shumë i mirë, pra si fundi i verës, ka pasur mjaft misër në fushat bujqësore, të cilat janë korrur dhe zogjtë shtegtarë mund të mbledhin dhe t’i hanë. Nga ana tjetër, ka patur edhe një fenomen tjetër mjaft pozitiv, pasi kemi patur erëra që kanë fryrë nga jugu, kështu që zogjtë shtegtarë nuk  e kanë ndjerë të nevojshme për të nisur udhëtimin e tyre drejt jugut, pasi kanë patur një zonë të sigurt për të ushqyer këtu, por edhe me kushte mjaft të favorshme të  motit.”

Për Attila Szilagyi kjo situatë është e pazakontë.

“Cikli normal i emigrimit të zogjve shtegtarë zgjat nga mesi i Shtatorit deri në fund të Tetorit. Tani është Nëntor dhe zogjtë shtegtarë janë këtu në një numër të madh.”

Për rojen e parkut, kjo situatë është pasojë e ndryshimeve klimatike.

“Kjo situatë është padyshim për shkak të efekteve të ndryshimeve klimatike. Dhe një efekt shtesë është se zogjtë shtegtarë po përdorin tani fushat e Hungarisë për të qëndruar gjatë dimrit. Ata po qëndrojnë gjithashtu edhe poshtë në kufirin jugor, përgjatë Serbisë, Vojvodinës, Szeged, nuk është e rrallë që ne shohim grupe zogjsh shtegtarë që kalojnë dimrin atje”.

Numri i zogjve shtegtarë që qëndrojnë në zonën e Parkut Kombëtar Hortobagy është rritur që nga vitet 1980. Ata jetojnë në pellgje të mëdha të pashqetësuara dhe këneta të cekëta. Pas lindjes së diellit ata nisen për t’u ushqyer në fushat e misrit aty pranë, ku mund të gjejnë mjaftueshëm ushqim pas korrjes së misrit.

Vonë pasdite, ata kthehen në moçal për të pushuar natën dhe për t’u shoqëruar me njëri-tjetrin, pasi ky është edhe momenti kur zogjtë e vegjël shtegtarë mësojnë aftësi dhe sjellje të rëndësishme gjatë jetës së tyre.

Rreth 5 milionë zogj shtegtarë migrojnë çdo vit nga Evropa dhe Azia, kryesisht për në në Afrikë. Shumë specie të zogjve migrojnë përgjatë rrugëve të njëjta, duke ndjekur veçoritë fizike si brigjet, brigjet malore dhe luginat e lumenjve.

Arsyeja më e zakonshme për të migruar për një sezon të veçantë është të përfitojnë nga ushqimi, strehimi dhe uji që mund të ndryshojnë me stinët.

Klan News