Hermes Nikaj, i njohur edhe si “Zogu i Tiranës”, ka mohuar akuzat për prostitucion gjatë marrjes në pyetje në Policinë e Tiranës. Sipas dëshmisë së tij, ai nuk i detyronte vajzat që të kryenin marrëdhënie.

“Vajzat kërkonin vetë të shkonin në hotele, nuk i dërgoja unë. Marrëdhëniet seksuale kryheshin me dëshirë”, ka thënë ai para hetuesve.

Në dëshminë e tij, Hermes Nikaj është shprehur gjithashtu se ai thjesht i ndihmonte me kontakte për shkak të njohjeve të tij, por nuk detyronte asnjë nga vajzat.

“Zogu i Tiranës” u arrestua gjatë një aksioni të policisë si pjesë e një rrjeti të shfrytëzimit të prostitucionit. Bashkë me të u arrestuan edhe 3 persona të tjerë, ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar 2 të tjerë.

Në momentin e arrestimit, 28-vjeçari u kap në flagrancë në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës së bashku me 47-vjeçarin A.GJ.

28-vjeçari Nikaj akuzohet se kishte ngritur një skemë të shfrytëzimit të vajzave për prostitucion kundrejt vlerave që varionin nga 10 në 20 mijë Lekë të reja për 2 orë. Ai ka pasur rolin e menaxherit, duke siguruar vajza të ndryshme për prostitucion, duke i dërguar ato në banesa ose hotele sipas kërkesave të klientëve.

Ndërsa një 43-vjecare, pjesë e këtij rrjeti, akuzohet se nëpërmjet qendrës së saj estetike fillimisht punësonte femra si kursante ose si parukiere dhe më pas i rekrutonte ato për prostitucion kundrejt pagesave nga 500 në 700 Euro nata. /tvklan.al