Edi Rama tregon nëse do ndikojë kriza e energjisë në ndërprerjen e dritave

I ftuar në emisionin “Zonë e Lirë” ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka garantuar se pavarësisht krizës së energjisë që po përballet Shqipëria dhe e gjithë bota, nuk do ketë ndërprerje të dritave.

Arian Çani: A mendon se do e përballosh pa i ndalur dritat, pra të mos ikin dritat? Le të ngrihet çmimi i energjisë sa të dojë, por të mos ketë ikje dritash, këtë e garanton dot Ramë sot në datën 8 Tetor 2021? Kemi një dimër përpara.

Edi Rama: Nuk ka arsye të ikin dritat.

Arian Çani: Je i sigurt?

Edi Rama: Po.

Arian Çani: Dje në Himarë kanë ikur 3 orë.

Edi Rama: Nuk ka lidhje me këtë që po flasim. Ikje dritash për arsye defektesh ka pasur gjithmonë. Kufizime energjie për shkak të mungesës së energjisë domethënë pse s’ka energji do kufizohet energjia, nuk do ketë.

Arian Çani: Po ky është lajm i mirë.

Edi Rama: Unë mendoj që nuk është në pyetje kjo sepse askush nuk ka thënë që do ketë kufizime. 

Rama shpjegon 4 arsyet përse ka ndryshuar sjellje me opozitën dhe gazetarët

Në Zonë e Lirë, Kryeministri Edi Rama foli edhe për ndryshimin e sjelljes në raport me opozitën, por edhe median e publikun. Ai tha se deri më tani ishte keqkuptuar si njeri arrogant që nuk dëgjon njeri. Përballë këtij perceptimi, kryeministri tha kishte kuptuar se ishte ai që duhet të ndryshonte.

Edi Rama: Në fakt është vetëdëbim, të ikësh nga parlamenti nga zgjedhjet, është të vetëdëbohesh.

Arian Çani: Patjetër, unë nuk thash që i the të ikin.

Edi Rama: Nëse quhet nxirja e jetës përballja në parlament që ata nuk e bënin dot, ishte fakt. Duke qenë se sa herë vinin në seancë dhe përballeshin bëheshin më shumë qesharakë se sa i merrte njeri seriozisht. Vendosën të ikin. Kjo është luftë politike dhe natyrisht nuk kam qenë aty për t’i… tani jam aty për t’u dhënë të gjitha mundësitë të ndihen mirë. Të jenë në kushte ku mund t’i thonë të gjitha gjërat.

Arian Çani: Të shoh që nuk i përgjigjesh Bashës.

Edi Rama: Jo kam vendosur që, nuk është vetëm më opozitën, gazetarët, por edhe me publikun, sepse kam reflektuar për këtë.

Arjan Curi: Është rehatia që të jep pushteti.

Edi Rama: Jo nuk është çështje rehatie. Pushteti është gjëja më e parehatshme që mund të ekzistojë, nëse me pushtetin do të bësh gjëra. Nëse pushtetin do thjesht ta konsumosh natyrisht që është i rehatshëm.

Arian Çani: Çfarë ndodh pra që ke ndryshuar ti sjellje?

Edi Rama: Ti ma ke sjellë në vëmendje sa herë vij dhe sot mbase do ma sillje më vonë që thoje si ka mundësi që merresh ti, jep përgjigje…

Arian Çani: Ku e gjen këtë energji të kam thënë.

Edi Rama: Nuk ka qenë një spektakël arrogance kundër njerëzve që as nuk i njoh dhe komentojnë në faqen time. Ajo për mua ka qenë respekt, (kthimi i përgjigjes qytetarëve) se unë mendoj që të merresh me dikë, të debatosh, ta kundërshtosh të mundohesh ta mundësh në një debat është respekt. Por çfarë më ka ndodhur? Arrogant, brutal, cinik, nuk dëgjon njeri etj. Pse e thonë njerëzit këtë? Duke qenë në këtë pozicion e duke u lexuar si një njeri që ka shumë forcë… mesa duket jam unë që duhet të ndryshoj. E njëjta gjë dhe me gazetarët…

Rama: Buka u rrit për shkak të taksës ruse, qeveria nuk vendos çmimet

Kryeministri Edi Rama ka folur për rritjen e çmimit të bukës dhe tha se në sistemin që është zgjedhur në Shqipëri, qeveria nuk vendos çmimet. Ai u shpreh ajo që ndodhi me rritjen e çmimit të bukës ka qenë fakti që rusët, të cilët janë furnitori kryesor i grurit dhe miellit në Europë, kanë vendosur një taksë eksporti. Kjo ka sjellë menjëherë rritjen e çmimit. Rama shtoi se nuk ka asnjë provë që tregon se ulja e TVSH-së do të sjellë uljen e çmimit.

“Së pari unë mendoj që nga koha e Skënderbeut shqiptarët kurrë nuk kanë pasur problem bukën, kurrë. Të pasurit problem të bukës është fenomen vendesh që nuk kanë lidhje fare me Shqipërinë dhe historinë  e shqiptarëve. Së dyti ne kemi zgjedhur këtë sistem para 30 vitesh në këtë sistem nuk është qeveria që vendos çmimet. Këtu nuk vendos qeveria çmimet dhe çmimet rriten jo vetëm si rezultat i rritjes së tyre në burim. Se çfarë ka ndodhur me bukën? Ka ndodhur që furnitori kryesor i grurit dhe miellit, në Europë janë rusët dhe rusët kanë vendosur një taksë eksporti. Vendosja e taksës ka rritur menjëherë çmimin dhe nuk ka asnjë provë shkencore që ulja e TVSH sjell uljen e çmimit. Nuk ka. Ne me imputet bujqësore ndërhymë në TVSH për të ulur çmimin. Pati një ulje momentale pastaj menjëherë çmimi u rrit. Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që ata që shesin nuk i ngrenë çmimet në pikën që nuk i shesin dot. Edhe tregu e bën kalkulimin e vet. Sa i përket konkretisht bukës ju duhet të dini që ne kemi prej kohësh një çmim preferencial për energjinë të mbrojtur që do të thotë që ne subvencionojmë furrat e bukës. Nga i gjen shteti këta para, që heq TVSH atje këtu e jepja këtu e atje… nga do t’i gjejë”, tha Rama.

A e ka armik Bashën? Rama: Gjyshja ime thoshte se mllefi është e zeza e të zotit

Kryeministri Edi Rama në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ka përmendur një shprehje të gjyshes së tij që ka të bëjë me mllefin dhe shprehet se nuk ka asnjë armik, aq më pak Lulzim Bashën. Sipas tij ai nuk është në beteja për shkak të mllefit të tij ndaj dikujt, por për shkak të ambicies dhe aspiratave të tij.

Arian Çani: Një nga mëkatet që nuk e ka dhe ia vënë të tjerët dhe e quajnë si arrogant është gjatësia. Kam lexuar pafund njerëz të cilët përballë njerëzve të gjatë kompleksohen pafund.

Arjan Curi: Edhe kryetari i opozitës është i gjatë. Nuk ka armik vetëm Lulzim Bashën, Rama, ka shumë njerëz që nuk e duan.

Edi Rama: Nuk kam asnjë armik unë.

Arian Çani: Kur them armik, them armik politik, kundërshtar.

Edi Rama: Gjyshja ime thoshte mllefi është e zeza e të zotit, pra në qoftë se njeriu ka mllef dhe armiqësi ndaj dikujt është problemi i tij në radhë të parë, është ai vetë që nuk është i lirë.

Arjan Curi: Jo gjithmonë është ashtu, është edhe tjetri që e shtyn në mllef.

Edi Rama: Dakord, nuk diskutohet sepse mllefi nuk vjen si faktor natyral, është dikush që ta provokon, por njerëzit e fortë duhet ta kapërcejnë dhe unë nuk kam mllef. Mllefi është diçka që të gjeneron gjatë gjithë kohës energjinë për të zhvilluar një betejë. Unë nuk jam në betejë nga mllefi kundër dikujt, unë jam në betejë nga ambicia ime, nga aspiratat e mia për… 

President i Shqipërisë dhe Kosovës? Rama: Të gjithë mendojnë se më njohin, por…

Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar mbrëmjen e kësaj të premteje në emisionin “Zonë e Lirë” ku është pyetur nga Arian Çani nëse e ka në plan që të bëhet Presidenti i trojeve të bashkuara të Kosovës dhe Shqipërisë. Kreu i qeverisë u shpreh se nuk e ka ndërmend këtë gjë pasi do që të zhvillojë një jetë të tretë ku do të fokusohet tek njerëzit e tij të dashur. Rama tha se nuk është në planet e tij që të jetë President i Kosovës dhe i Shqipërisë, por tregoi aspiratën e tij për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Kur Çani i tha se kryeministri ka në mendje gjithë kohës pushtetin, Rama e mohoi dhe tha se të gjithë njerëzit mendojnë se e njohin.

Edi Rama: Për mua personalisht është shumë e qartë, e kam thënë shpeshherë dhe një ditë do ta them që unë me ndihmën e Zotit dua të kem edhe një jetë tjetër. Një e kam pasur si artist dhe si rebel, një si njeri në shërbim të publikut. Një tjetër dua ta kem si një jetë ku mos të kem detyrim ku ti përgjigjem cilitdo qoftë dhe as më pak t’i gjendem cilit do qoftë për shkak të detyrës. Tani jam i fokusuar tek mandati i tretë. Të katërtin do ta fitojmë pa diskutim. E shoh veten diku tjetër pas 2030-ës.

Arian Çani: Pra President i Kosovës dhe i Shqipërisë?

Edi Rama:  Jo.

Arian Çani: Ose i trojeve të bashkuara?

Edi Rama: Jo.

Arian Çani: Pse jo?

Edi Rama: Sepse dua të kem edhe unë të drejtën që të kem një pjesë të fundit të rrugës së jetë ku të marr frymë i çliruar nga superngarkesa e kësaj pjese të rrugës. Nuk bëj sikur ma kanë dhënë me zor. Në këtë pozicion qëndrohet deri kur ke të gjithë zjarrin e nevojshëm brenda. Mendoj se është mëse e mjaftueshme për mua, por edhe me gjithë të tjerët që shërbimet e mia ndaj të gjithë këtij vendi si i pari i punës të kenë një limit. Përtej atij limit të kem mundësinë që t’i rikthehem disa pasioneve dhe disa gjërave të tjera që janë të rëndësishme për njeriun dhe t’i kthej sa të mundem nga gjithë ky borxh i madh i akumuluar njerëzve të mi të dashur.

Arian Çani: Kur unë të them Presidenti i Shqipërisë dhe i Kosovës, është kjo në planet e tua zotëri?

Edi Rama: Nuk është në planet e mia. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën por jo unë President.

Arian Çani: Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën, por kjo shoqërohet me një lidership apo jo?

Edi Rama: Por kjo nuk është projekt personal. Kjo është aspiratë. Nuk ka asgjë që nuk ka lidhje me personalen tek secili person, por tjetër është një projekt personal dhe tjetër është që personi yt të jetë në dispozicion të një aspirate që është më shumë sesa personale.

Arian Çani: Pra Ramë ti nuk e projekton dot veten dhe nuk e thua dot që po është ambicia ime që një ditë të udhëheq shqiptarët kudo në trevat e tyre.  Nuk e thua dot këtë gjë. Nuk do ta thuash publikisht?

Edi Rama: Ambicia ime është që të kem një jetë të tretë. Jeta e tretë nuk do të ketë lidhje me politikën e përditshme dhe me punën e përditshme si njeri i zgjedhur nga populli.

Arian Çani: Unë nuk ta besoj këtë që thua.

Edi Rama: Jeta ime do të jetë e bazuar në atë që unë bëj si njeri i zgjedhur për të lindur dhe për të jetuar.

Arian Çani: Nuk je i sinqertë në këtë gjë se unë të njoh. Nëse ka një gjë që ty të punon 24 orë në 24 orë është pikërisht kjo.

Edi Rama: Ajo që mua më fasinon kur thonë kosovarët është që të gjithë ju mendoni se më njihni.

Arian Çani: Të njoh aq sa të kuptoj që pushteti për ty është një objektiv madhor.

Edi Rama: E pra nuk më njeh.

Arian Çani: Ne kemi prova. Për herë të parë në Shqipëri, një kryeministër fiton mandatin e tretë dhe thotë që do të fitojë mandatin e katërt.

Edi Rama: Nuk e çoj nëpërmjet të bëhem mbret. As të jem presidenti i Shqipërisë dhe i Kosovës.

President pas vitit 2030? Edi Rama: Do i kthehem pasioneve të mia, ka një limit…

Kryeministri Edi Rama në “Zonën e Lirë” ka treguar se ka bërë plane për Partinë Socialiste deri në vitin 2030 dhe ka theksuar se nuk janë plane të tijat personale, por për të mirën e partisë. Ai vetë pas 2030 ka treguar se do i përkushtohet pasioneve të tij sepse gjithë shërbimet e tij me vite me radhë në vendin tonë e kanë një limit.

Arian Çani: Ramë është mandati i tretë ky, ti ke bërë plane edhe për vitin 2030.

Edi Rama: Plani për 2030 nuk është plan personal, është plan i PS-së në funksion të vendit. Pas 2030 është një histori tjetër.

Arian Çani: Pra deri në 2030 duhet të jesh?

Edi Rama: Nuk e thashë këtë, unë tani jam i fokusuar tek mandati i tretë që 2021-2025. Mandatin e katërt ne do e fitojmë, kjo nuk diskutohet, por fokusi është 2021-2025. E shoh veten diku tjetër pas 2030-s.

Arian Çani: President i Shqipërisë dhe Kosovës?

Edi Rama: Jo sepse dua që të kem dhe unë të drejtën që të kem një pjesë të fundit të rrugëtimit të jetës, ku të marr frymë i çliruar nga superngarkesa e kësaj pjese të rrugës. Në këtë pozicion qëndrohet deri kur ke të gjithë zjarrin e nevojshëm brenda. Unë mendoj që është mëse e mjaftueshme për mua, por edhe për të gjithë të tjerët që shërbimet e mia ndaj gjithë këtij vendi të kenë një limit dhe përtej këtij limiti unë të kem mundësi që t’i kthehem disa pasioneve, disa gjërave që janë shumë të rëndësishme patjetër për njeriun dhe po ashtu t’i kthej sa të mundem nga gjithë ky borxh i madh i akumuluar njerëzve të mi të dashur. 

A dinte gjë Edi Rama për arrestimin e ish-drejtorit të RTSH-së nga SPAK?

Ish-drejtori i RTSH-së, Thoma Gëllçi, është vënë në pranga pas hetimeve të SPAK. Disa minuta pas publikimit të këtij lajmi, kryeministri Edi Rama u pyet nga Arian Çani në emisionin “Zonë e Lirë” nëse kishte dijeni më parë me këtë rast.

Kryeministri mohoi që të dinte gjë dhe tha se lajmin e mori vesh ndërkohë që ishte në studio me Çanin.

Arian Çani: SPAK vetëm pak minuta më parë paska arrestuar Thoma Gëllçin, ish-drejtorin e RTSH. Një nga eksponentët e PS para shumë viteve e ka kap SPAK. Unë nuk i di arsyet sepse… Ti ishe në dijeni Ramë?

Edi Rama: Tani po e marr vesh që jemi bashkë.

Një tender korruptiv në Radio Televizionin Shqiptar i nënshkruar në Nëntor të 2018-së, ka çuar në pranga ish-drejtorin e RTSH-së, Thoma Gëllçi dhe 3 zyrtarë të këtij televizioni. Ata janë arrestuar me urdhër të SPAK, pasi GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me Burg’.

Rama: Parashikohet që kjo krizë do të zgjasë deri Qershorin e ardhshëm

Kryeministri Rama i ftuar në “Zonën e Lirë” në Tv Klan ka treguar se kriza e energjisë e cila ka prekur gjithë botën do jetë agresive deri në Qershorin e vitit të ardhshëm, por nuk parashikohet që pas Qershorit, çmimet do rikthehen aty ku kanë qenë përpara se të fillonte kriza.

“E para njëherë sa i përket çmimit të energjisë, nesër unë do dal për të ndarë me gjithë opinionin publik, planin që ne kemi bërë gati sikundër e kisha paralajmëruar në mesazhin që drejtova. Kjo është emergjencë, kriza është reale, çmimet janë rritur në mënyrë eksponenciale dhe ne prekemi drejtpërdrejtë sepse ne dalim në treg.

Ne jemi të detyruar që të blejmë energji. Përtej atyre që thonë se ne kemi ujë, ne nuk varemi nga uji, varemi nga shiu. Ne nuk e kemi ende sistemin që mund të mbajmë rezerva ujore, kur ka kohë thatësire. Ndaj ne po krijojmë Skavicën për të krijuar rezervën ujore. Për shkak se bie prodhimi rritet çmimi.

Parashikimi është që kjo krizë në fazën e vet agresive do të zgjasë deri rreth Qershorit të vitit të ardhshëm. Por nuk parashikohet që pas Qershorit çmimet të rikthehen aty ku ishin përpara se të fillonte kriza. Nuk do të mbeten aq. Ajo që parashikohet është që çmimet do të relaksohen, por nuk parashikohet që do bien aty ku ishin para fillimit të krizës.

Është një situatë shumë-shumë e rëndë realisht. Për ne është katërfishuar çmimi i blerjes sot. Njësoj si të njëjtën gotë me ujë ta blesh katër herë më shtrenjtë.

Ne nuk duam që të adresojmë problemin sa për të hedhur këtë lumë. Ne mund ta zgjidhnim kështu në këtë moment, por do të bënim një autogol të mundshëm

Planin do ta publikojmë nesër. Të mos ia ngarkojmë konsumatorit familjar krizën sepse kjo do të ishte më e thjeshta, por kjo do të ishte një zgjedhje e rëndë dhe jo e drejtë sepse mundësitë për të kapërcyer këtë fazë agresive pa e ngarkuar konsumatorin familjar ekzistojnë”, është shprehur Rama.

Rama: Ajo që po ndodh në PD, e rëndë dhe për të ardhur keq

I pyetur për Foltoren e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Rama tha se ajo që po ndodh në Partinë Demokratike është e rëndë dhe për të ardhur keq.

Arian Çani: Mediat vrapojnë për të kapur Berishën nëpër foltore. Deri tani ka bërë 8, dje ishte në Gjirokastër, njerëz pafund që mbledh rreth vetes. Pyetja ime është e thjeshtë. Përse dreqi ta haj nuk ndërhyn që SPAK ta ndalojë vrullin e tij që ai ta lejë Lulin rehat të vazhdoj normalisht. Sepse me këto sherre edhe ti besoj je lodhur apo jo?

Edi Rama: Së pari unë nuk mendoj që është një interes i madh publik. Interesimi i madh i medias nuk tregon ndonjë interes të madh publik.

Arian Çani: Unë mendoj se ka një lidhje.

Edi Rama: Jo. Natyrisht që cirku pa pagesë me elefantë dhe minj sjell spektatorë. Por përtej interesimit të mediat dhe të tjerave, për vendin është e rëndë kjo që ndodh me partinë e dytë, praktikisht opozitën. Është shumë e rëndë, shumë për të ardhur keq. Sa e shëmtuar edhe për të ardhur keq për ata që i kanë besuar asaj partie.

Arian Çani: Edi Rama, SPAK kur e bllokon Saliun?

Edi Rama: Tani për humor mund të bëjmë humor po në rastin konkret realisht është për të ardhur keq.

Rama komenton memet në protestën kundër rritjes së çmimeve

Kryeministri Edi Rama ka qenë i ftuar këtë të premte në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan.

Gazetari Arian Çani e pyeti kreun e qeverisë nëse kishte informacione në lidhje me protestën që u zhvillua para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve.

“Nuk kam ndjekur gjë sepse isha në Lujbjanë”, tha Rama, ndërsa shtoi se, “Protestat kanë qenë lajtmotiv që kanë shoqëruar rrugën time si kryeministër kështu që jam mësuar me protesta”.

Por kryeministri u vu edhe përpara memeve të përdorura në këtë protestë, të cilat i komentoi bashkë me Çanin./tvklan.al