Dy shpërthime tronditën gjatë natës qytetin e Vlorës.

Ngjarjet ndodhën pranë dy institucioneve të rëndësishme të qytetit, një pranë policisë së Vlorës e tjetri pranë Bashkisë së qytetit.

Shpërthimi i parë ndodhi në lagjen “Lirim”, pranë policisë së Vlorës. Lënda shpërthyese ishte vendosur pranë apartamentit të 29-vjeçarit Fatjon Baka, i cili mësohet se merret me tregti.

Ndonëse nga shpërthimi fatmirësisht nuk pati të lënduar, dëme të konsiderueshme pësuan muret, si dhe në dy apartamente pranë.

Shpërthimi ishte kaq i fuqishëm sa e zonja e apartamentit ku u vendos tritoli përfundoi në spital për shkak të tronditjes. Të tronditur shprehen edhe banorët e pallatit. Për mikrofonin e

ABC News

, ata thonë se shpërthimi ishte aq i fortë sa i kishte zgjuar të tmerruar.

“Kur hymë ne, pamë derën në tokë. Ishte thyer dera dhe xhami i banjës ishte thyer. Asaj plakës nga kati i gjashtë, nga trauma morën ambulancën edhe e shtruan në spital e nuk e di ç’kanë bërë. Djali i saj e shoqëroi. Shpërthimi ishte shumë i fortë. Unë u ngrita përpjetë”,

rrëfen banori

.

Ndërkohë, shpërthimi tjetër ndodhi në lagjen “15 Tetori”, pranë Bashkisë së Vlorës. Lënda shpërthyese në këtë rast ishte vendosur pranë portës së shtëpisë së një 69-vjeçari. Fatmirësisht edhe në këtë rast pasojat janë vetëm dëme materiale.

Deri në këto momente mbeten të panjohura motivet e këtyre dy shpërthimeve, ashtu sikurse autorët.

Në një njoftim të sajin, policia sqaron se për rastet janë ngritur grupet hetimore që po punojnë për zbardhjen e tyre.

/tvklan.al