Nuk paguan dot borxhin e energjisë elektrike, gruaja i kërkon kunatës ta ndihmojë

Seanca e ndërmjetësimit në rubrikën “Shihemi në gjyq”, në Tv Klan, vendosi përballë njëra-tjetrës dy kunata. Zonja Zejnepe, nëna e dy fëmijëve 8 dhe 10 vjeç, ka humbur bashkëshortin dhe në studio i bën thirrje kunatës së saj që ta ndihmojë për të paguar borxhin e enrgjisë elektrike, sepse janë në kushte të vështira ekonomike.

Nga ana tjetër, zonja Vera thotë se dhimbja për humbjen e vëllait është e madhe, ajo i do fort dhe mbështet familjen e tyre, por nuk ka të paguajë një borxh aq të madh.

Eni Çobani: Pse ka ardhur Vera në këtë seancë me ty? Vera ka ndonjë përgjegjësi për sa i përket mospagimeve nga ana juaj?

Zejnepe: Nuk po them se ka përgjegjësi, po derisa unë jam pa përkrahje, pa mbështetje, pa asnjë ndihmë, pa asnjë të ardhme, do ta kërkoj një ndihmë nga dikush. Unë i kërkoj kunatës të më ndihmojë sadopak.

Vera: Zonja Eni unë kam një respekt shumë të lartë për ty, por ta kisha ditur që ajo do të më sillte mua këtu për këto probleme këtu, nuk do të kisha ardhur fare. Sepse nuk e di ajo sa dhimbje kam unë për vëllain.

Zejnepe: E di që ka dhimbje për vëllain, por unë jam në mes të rrugës tani.

Vera: Çdo njeri ka luftë për të rritur kalamajtë, çdo njeri ka luftë për të kërkuar jetën, unë nuk kam çfarë t’i bëj asaj, se unë jam 18 vetë brenda. Ajo e di shumë mirë gjendjen time dhe dashurinë time për ata, por unë s’kam çfarë t’i bëj. E di që mund të ketë shumë hall, por nuk duhet ta kishte lënë të shkonte 17 milionë apo 20 milionë.  

Zejnepe: Po s’kishim mundësi ekonomike moj për ta paguar, se kishim shumë debitë, ishin fëmijët e vegjël, unë e kisha burrin sëmurë zonja Eni, ai njëherë në 3 muaj shkonte në spital.

Eni Çobani: Po pse, ju e dinit që ishte burri i sëmurë, kur e morët si bashkëshort?

Zejnepe: Jo nuk e dija.

Eni Çobani: Kush është shkuesi i martesës tuaj?

Zejnepe: Vera! Unë nuk e dija që burri vuante prej depresionit.

Eni Çobani: Vera më fal që e përmend, por duke qenë se vëllai juaj ishte i sëmurë me depresion, juve si kishit menduar që do krijonte një familje dhe pa një ndihmë, sepse vetëm me atë pension invaliditeti, ai nuk mund të përballonte familjen. Se me 100 mijë lekë të vjetra, ai nuk mund të përballonte veten, jo më familjen. Ju e dinit që ishte i sëmurë?

Vera: Ishte i sëmurë, por ai u sëmur më shumë sepse nuk ishte në këtë gjendje që thotë ajo në fillim.

Zejnepe: Ai merrte ilaçe dhe sa i pinte qetësohej.

Eni Çobani: Nuk ka qenë agresiv?

Zejnepe: Jo!

Vera: Zonja Eni çfarë kërkon kjo nga unë?

Zejnepe: Unë dua një ndihmë, se i ke fëmijët janë gjaku i vëllait, unë dua ndihmë nga ju.

Vera: Sa mund të të ndihmoj moj Zejnepe, ja do të jap miell, do të jap 100 mijë lekë, por nuk të dalin. Unë nuk mund të të jap 20 milionë lekë.

Ardit Gjebrea: Çfarë janë këto 20 milionë zonja Eni?

Eni Çobani: Unë kam një faturë që nga Korriku i viti 2007 dhe deri në Dhjetor 2019, ku sipas përllogaritjes që ka bërë OSHEE, familja e zonjës Zejnepe Doda ka një borxh të papaguar të energjisë elektrike, 15 milionë lëkë të vjetra.

Ardit Gjebrea: Po energji vazhdojnë të kenë?

Eni Çobani: Energji vazhdojnë të kenë, nuk ia kanë prerë për asnjë moment./tvklan.al