Këngëtari Xhon Jesku ka folur sot në programin “Rudina” në Tv Klan për disa nga traditat më të bukura që e karakterizojnë Pogradecin.

Teksa përmendi serenatat pogradecare dhe kulinarinë, Jesku u ndal te një ritual mjaft unik sipas tij në atë qytet, që është pjesa e vajit në ceremonitë mortore.

Ai rrëfeu se nëna e tij, por thuajse të gjitha zonjat pogradecare e zotërojnë këtë mjeshtëri të vajtimit.

Xhon Jesku: Unë jam shumë i lidhur me vendlindjen time dhe gjithë qytetarët e Pogradecit janë shumë tradicionalë. Ka shumë rite që e identifikojnë Pogradecin , duke marrë të parën pjesën e kulinarisë që gjenden dhe ushqime shumë të rralla që mund ti mund t’i provosh vetëm në Pogradec.

Rudina Magjistari: Po, ka kuzhinë shumë të mirë Pogradeci.

Xhon Jesku: Po të marrim pjesën artistike është përfaqësuar denjësisht, ka muzikën folklorike shumë të pasur, kemi një grup emblematik si “Nostalgjia” që vazhdon brez pas brezi dhe ka në përbërje këngëtarë nga i gjithë Pogradeci, të cilët këndojnë shumë bukur serenatën pogradecare.

Rudina Magjistari: Edhe Pogradeci ka serenatat e veta? Se kur themi serenata mendojmë Korçën.

Xhon Jesku: Ajo e cila mua më mbetet në mendje dhe jam shumë krenar, e që familja ime apo gjithë njerëzit e Pogradecit vazhdojnë e trashëgojnë sepse kjo vërtetohet edhe nga mosha ime, jam vetëm 26 vjeç dhe i di shumë mirë ritet e ceremonive të lindjes, të martesave e madje deri te ceremonitë e vdekjeve, që ne kemi një traditë shumë të pasur në këtë pjesë. Edhe zonjat në këtë të fundit, dallohen për mjeshtërinë e tyre ose lavdërohen në momentin që përfaqësojnë ose përcjellin me dinjitet mënyrën se si vajtojnë. Jam shumë krenar për këtë, mamit tim i bëhet një vend shumë i veçantë…

Rudina Magjistari: Aa pse është mamaja jote që e zotëron këtë mjeshtëri të të kënduarit?

Xhon Jesku: E zotërojnë gati gati të gjitha zonjat e Pogradecit, unë jam kaq krenar për nënën dhe fisin tim që e zotërojnë me një mjeshtëri kaq të madhe që në të gjitha gëzimet familjare e madje edhe në momentet e trishta kur përcjellim dikë, është një moment që i ka rezistuar shumë kohës dhe traditës, pjesa e vajit.

Rudina Magjistari: Është art më vete!/tvklan.al