Sulmuesi rrezikon përjashtim nga bota e sportit

UEFA ka hapur zyrtarisht një hetim për sulmuesin suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimoviç. Sikur të mos mjaftonte mungesa në fushën e blertë për shkak të një tërheqje muskulare, suedezi gjendet në qendër të një skandali pasi dyshohet se është aksioner në një kompani bastesh me qendër në Maltë.

Sulmuesi ka një pjesë të vogël aksionesh në kompaninë e basteve “Bethard”, diçka që FIFA dhe UEFA e ndalon për futbollistët profesionistë.

“Në bazë të artikullit 31(4) të Kodit Disiplinor, një inspektor i Etikës dhe Disiplinës në UEFA është ngarkuar për të hetuar në lidhje me shkelje të mundshme të këtij neni nga ana e Zlatan Ibrahimovic, që dyshohet se ka në pronësi një kompani bastesh sportive”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.

Nëse konfirmohet shkelja disiplinore për sulmuesin 40-vjeçar, atëherë ai rrezikon të përballet me një pezullim të ashpër, që mund ta lërë për shumë muaj  jashtë aktiviteteve futbollistike. Duket se ka qenë pikërisht ky shkaku i mungesës së gjatë të Zlatan në kombëtaren suedeze, megjithatë në Mars Ibra u rikthye sërish të veshë fanellën e Suedisë.

Klan News