“Gjykata refuzon të japë urdhër-mbrojtje”

Emisioni Stop në Tv Klan publikoi videon skandaloze se si nëna dhunonte egërsisht fëmijët e saj, kjo për shkak se vuan nga probleme të shëndetit mendor. Gruaja u dënua me 2.5 vite burgim për dhunën e ushtruar ndaj të miturve.

Ish-bashkëshorti i saj, që është dhe denoncuesi i ngjarjes, tani ka një problem tjetër. Ish-gruaja, nëna e fëmijëve të tij, ditët e fundit ka dalë nga qelia. Sjellja e saj nuk ka ndryshuar, madje është bërë më agresive. Strukturat nuk kanë funksionuar edhe pse doktorët e burgut e kanë referuar rastin në psikiatri.

Denoncuesi: Ka bërë 2 vite e gjysmë burg për dhunë ndaj të miturit dhe shkëputje nga arsimi fillor i detyrueshëm dhe krijimi i konsekuencave të tjera për shëndetin e fëmijës. Mirëpo unë nuk isha ai personi që kërkoja që ajo të dënohej. Unë doja që ajo të shkonte në rehabilitim sepse jam njeri. Por nuk ndodhi kjo sepse ligji është në atë mënyrë sa të marrin të përplasin në dyert e burgut, atje duhet të ballafaqohesh me një realitet tjetër. Unë kërkoja që ajo të merrte mjekim të detyrueshëm dhe gjatë kësaj periudhe unë kam mbajtur kontakt me mjekët e burgut. Mjekët e burgut më thonë që ishte njeri agresiv, që ishte agravuar më shumë, që ishte njeri tendecioz, që i ngacmonte të burgosurit deri në atë pikë saqë të burgosurit po arrinin të bënin plane ta rrihnin ose ta likujdonin. Doktorët e burgut rekomandonin që duhej t’i nënshtrohej mjekimit të detyruar. Mjekët e burgut bëjnë shërbim 24 orë. Çdo mjek i burgut e kishte lënë atë pjesën dhe raportonin agravimet e situatës së kësaj. Fati i keq ishte 1 javë para se të dilte, mjekja e burgut më tha Zoti ju ruajt. Ajo do dali, tha, Zoti ju ruajt juve. Ajo doli, ka 10 ditë që ka dalë dhe gjëja e parë që bëri erdhi me vrap në shtëpi dhe më kërkoi çelësat e shtëpisë. Kjo shtëpia është e imja, është shtëpi që unë e kam të dhuruar nga prindërit në bazë të një trashëgimie mbi truallin e pallatit që kanë bërë në pronën time. Duke më kërkuar pronën, kjo më kërkonte çelësat e shtëpisë që unë të largohesha nga shtëpia dhe kjo të vinte. Realiteti i kësaj kishte ngelur në momentin kur ishte arrestuar. Përballja ishte më agresive.

Denoncuesi kërkon urdhër-mbrojtje. Por gjyqtarja Irena Hoxha nuk i ka dhënë familjes një urdhër të tillë, edhe pse gruaja është e rrezikshme. E njëjta gjyqtare i shkaktoi probleme edhe në procesin e divorcit.

Denoncuesi: Kam kërkuar urdhër-mbrojtje dhe nuk ma ka ofruar njeri. Më thonë nuk ke shenja dhune dhe nuk ke akte të dhunshme. Urdhri i mbrojtjes është parandalues, që t’i dali përpara akteve të dhunshme. 3 ditë pasi u kërcënova në rrugë, më tha që nuk do shpëtosh prej meje, u detyrova t’i drejtohem policisë. Policia me ato të vetat nuk mund të ishin bashkëpunues. Megjithatë, duke insistuar arrita t’i marr ato letra dhe t’i çoj në gjykatë. Në Gjykatë, gjyqtarja Irena Hoxha refuzoi urdhrin e mbrojtjes, më ka nxjerrë goxha probleme edhe në procesin e divorcit po e njëjta gjyqtare. Irena Hoxha m’i ka lënë dy takime në javë djalit, kur djali vazhdon shkollën. E ka lënë takimin ditën e mërkurë dhe ditën e premte nga 2 orë. Kjo bie në konflikt edhe me relacionet e psikologes ligjore Valbona Treska, që e njeh rastin shumë mirë, ekzaminoi djalin, ekzaminoi shëndetin mendor të ish-bashkëshortes në burg, më ka intervistuar mua dhe djalin e madh. Edhe në thyerje të ligjit, nëse nuk kam përkrahje nga ligji unë do marr fëmijët e do iki do kërkoj azil.

Psikologia Denata Toçe shpjegon problemet e bipolaritetit të gruas dhe thotë se urdhri i mbrojtjes duhet dhënë, por burgu nuk është zgjidhje, pasi përkeqëson shëndetin e gruas.

Psikologia Denada Toçe: Çrregullimet bipolare janë problematika të çrregullimeve të humorit. Dhe nëse eksperti gjatë procesit gjyqësor e ka identifikuar nënën me probleme të shëndetit mendor, do të duhet që të trajtohet si i tillë dhe jo vetëm të trajtohet me medikamente, por edhe të supervizohet. Vazhdimësia e procesit të mjekimit është shumë i rëndësishëm për të parë ku jemi me sjelljen. Kemi dy momente shumë të rëndësishme. Momenti i parë është ekspozimi i fëmijës ndaj traumës së mëparshme dhe ekspozimi i fëmijës post-traumës. Do të duhet të rivlerësohet situata. Zakonisht, individët të cilët kanë ushtruar dhunë tek fëmijët apo te të afërm të tyre predispozita që të kemi dhunë të përsëritur është e madhe. Përsa kohë kemi një fëmijë të mitur që deklaron që unë jam i dhunuar nga prindi më përpara, për mua ky është një veprim i mjaftueshëm që gjykata të mund të rimarri në konsideratë urdhrin e mbrojtjes për fëmijën. /tvklan.al