Kryeministri Edi Rama i qëndron në mënyrë absolute çdo fjale që ka thënë përgjatë fushatës elektorale, sa i takon mundësisë historike të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Ritheksoi edhe në konferencë me Presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa, se futja në familjen europiane është mbi të gjitha çështje identiteti.

“Pyetjen po bëj sikur nuk e kuptova, ishte sikur cirku mbaroi apo ajo që thashë mbetet ende në fuqi?! Jo vetëm që i qëndroj asaj që kam thënë që ne na është dhënë mundësia historike pasi janë rreshtuar yjet bashkë dhe BE ka hapur derën që të hyjmë, nëse ne bëjmë të gjitha ato që janë të shkruara dhe përmbledhura në planin që kemi në tavolinë së bashku me Komisionin deri në fund të 2027-ës. Ne do të bëjmë tonën, se ndryshe s’ka ça bën as Antonio që e do me zemër këtë proces, Shqipërinë e rajonin sepse BE funksionon me laps dhe kritere që duhen përmbushur. Pasi ne të bëjmë tonën, topi është në fushën e tyre. Zoti ju shtoftë inatin edhe para 2030-ës urojmë të bëhet anëtarësimi, sepse e kemi vënë si afat pasi mund të ketë momentë që mund të marrin më shumë kohë. Është mundësi historike dhe mision historik për ne, jemi në mes të Europës, nga popujt më të vjetër dhe sa kohë nuk futemi në BE do mbetemi të huaj. Nuk është çështja as te fondet apo prosperiteti, është çështje përkatësie. Ne duam ta mbyllim këtë proces”, përfundoi kreu i qeverisë.

/tvklan.al