Në programin “Rudina”, në Tv Klan ka qenë i ftuar Anteo Çupi, 13-vjeçari nga Thumana së bashku me nënën e tij Mandelina.

Anteo ka lindur si një fëmijë i shëndetshëm, por kur ishte vetëm 3 muajsh për shkak të temperaturës së lartë ka pësuar dëmtim në nervin që kontrollon lëvizjen. Deri në moshën 2-vjeçare, Anteo ka jetuar me serume dhe mjekime. Më pas është dërguar në Greqi për të marrë mjekim më të specializuar. Atje familja ka marrë lajmin që i vogli ka mbetur i paralizuar. Është operuar disa herë dhe ka qenë në rrezik për jetën e tij, por ka shpëtuar.

Tashmë i është premtuar që duke ndjekur mjekime të vazhdueshme dhe fizioterapinë mund të rikthejë të ecurin, por familja nuk i përballon dot shpenzimet. Pas gjithë peripecive që ka kaluar familja e Anteos me problemet shëndetësore, iu shtua edhe problematika e tërmetit të 26 Nëntorit. Ata e kanë shpëtuar Anteon me shumë vështirësi gjatë natës dhe fatmirësisht pa lëndime kanë dalë nga shtëpia.

“Nga ajo që kaluam ishte një tmerr shumë i madh, duke parë dhe gjendjen e Anteos në të cilën ndodhet. Ne banojmë në katin e katërt, tërmeti ishte shumë i fuqishëm. Ishte traumë shumë e madhe për ne, sepse në Thumanë ndodhën shumë viktima, jemi shumë të prekur nga ajo që ndodhi, por Zoti na deshi shumë. Në katin e katërt banoja unë, ndërsa në katin e tretë mami dhe vëllai im. Atë natë, Anteo tha të lutem më lër tek nëna se janë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Kur ra tërmeti, ne u çuam me vrap nga krevati, direkt vetëm derën dhe në katin poshtë tek shtëpia e vëllait. Aty ishte bllokuar dera nuk hapej, u munduam me forcë, vëllai nga brenda me levë, mezi u hap dera. Kemi marrë djalin dhe kemi dalë jashtë. Nuk mund ta imagjinoj dot atë stres, atë ankth, tërmeti po na plaste sa andej-këndej”, tregon nëna e tij.

Tashmë ata kanë mbetur pa shtëpi dhe aktualisht strehohen në Shëngjin, tek një prej hoteleve që ka hapur dyert për të dëmtuarit nga tërmeti./tvklan.al