S’gjendet akt-ekspertimi për pallatin 6 katesh, “Stop” zgjidh problemin

Emisioni “Stop” në Tv Klan është ndalur këtë të mërkurë në Durrës, në lagjen numër 5. Kjo zonë është ndër më të dëmtuarat nga tërmeti i 26 Nëntorit. Në këtë lagje ka edhe cilësi të dobët të ndërtesave. Një pallati i është vënë shiriti dhe është nxjerrë i pabanueshëm, ndërkohë që një ndërtesë ngjitur tij nuk ka pësuar asnjë lloj dëmtimi. “Stop” u ndal tek një pallat 6-katësh në këtë lagje. Ndërtesa ka dëmtim në kolona, madje është mënjanuar dhe është afruar me pallatin ngjitur me të.

Banorët tregojnë, se kanë ardhur disa grupe inspektimi dhe disa e kanë nxjerrë pallatin të banueshëm dhe të tjerët të pabanueshëm. Ata thonë, se kanë frikë të hyjnë brenda, ku kanë gjithçka dhe nga shteti nuk kanë marrë asnjë asistencë apo ndihmë, për shkak se në njësinë administrative numër 3 nuk gjendet akt-konstatimi për këtë pallat.

Banori 1: Konstatuan me komunën. Erdhën ata specialistët, erdhi një grek. E pa dhe tha se është e riparueshme. I vuri shiritin e verdhë. Ca thonë është i riparueshëm, ca thonë i pariparueshëm. Konstatimin kanë ardhur dhe e kanë bërë. Letrën s’e kanë nxjerrë akoma se ka ngelur te komuna. Tani kanë ardhur dhe specialistë dhe thonë që është e pabanueshme. Këtu nuk jeton njeri. Të gjithë familjet kanë ikur nëpër familjarët e vet.

Gazetari: Ju që jeni këtu, a jeni sistemuar? Iu kanë dhënë ambiente për t’u sistemuar. Sa anëtarë jeni në familjen tuaj?

Banori 2: Jemi nëntë anëtarë në familje. Kam shkuar më shumë se 6 herë në bashki, kemi lënë kontakte. Asnjë thirrje, asnjë gjë.

Banori 3: Unë kam marrë edhe inxhinier privat. Erdhi dhe një grup izraelit i vuri një shirit të kuq. Nuk po e marrim vesh. Nuk e dimë ça do bëjmë. Unë kam gjithë plaçkat lart.

Gazetari: Zotëri ju jeni banor i pallatit tjetër, por keni frikë se mos shembet pallati 6-katësh dhe mund t’iu zërë brenda. Fatmirësisht nuk keni dëmtime serioze brenda pallatit, por shqetësimi është i drejtë.

Banori 4: Zoti ne na fali edhe po jetojmë. Asnjë gjë më shumë asnjë gjë më pak, ne duam një zgjidhje. Si do zgjidhet halli i këtij problemi që ne që jemi bashkëngjitur me këtë pallat duam të jetojmë. Nëse shembet, të shembet pa na dëmtuar neve. Kaq, kjo është zgjidhja jonë dhe kërkesa jonë.

Pas shumë përpjekjeve “Stop” gjeti akt-konstatimin që është përpiluar që më 30 Nëntor të 2019-s, por u është vëën vetëm sot në dispozicion qytetarëve. Akti i konstatimit vlerëson, se ky pallat është i pabanueshëm.

Administratori, Njësia 3: Ai është shpejt, që e kemi bërë neve. Ai na e fillon nga fundi, domethënë, duhet ta kishte filluar nga…nga fillimi, që ta gjenim atë tuajën!

Denoncuesi: Ka shumë gjatë këtu.

Administratori, Njësia 3: E mor eee…..

Denoncuesi: Po!

Administratori, Njësia 3: Tre thashë unë, dy ja që i kam pas këtu, e di unë ore i kam bë.

Gazetari: Edhe këtë se……

Administratori, Njësia 3: Tre ja, i mbaj mënd mirë, se i kam shkruar me dorën time, kam ndenjur deri në 11:00 të natës mo. I kam fotokopjuar të gjitha në bashki dhe i kam marrë në shtëpi, 11:00 të natës dhe shkruaja.

Më pas banorët, të shoqëruar nga gazetari i “Stop” pajisen me dokument dhe shkojnë në Bashkinë e Durrësit, për të bërë regjistrimin për bonusin e qirasë./tvklan.al