Skandali me vjedhjen e të dhënave personale të mbi 87 milionë përdoruesve të Facebook për propagandë, çoi përpara Komisionit të Drejtësisë në Senatin Amerikan, themeluesin e rrjetit social, Mark Zuckerberg. Drejtuesi i gjigandit teknologjik e nisi fjalimin e tij me një ndjesë publike.

“Nuk kemi bërë mjaftueshëm për të parandaluar shpërndarjen e Fake News, ndërhyrjes së jashtme në zgjedhje, fjalimeve të urrejtjes apo të cënimin e të dhënave private. Nuk patëm një ndërgjegjësim të qartë për përgjegjësitë tona dhe ky ishte një gabim i madh. Ishte gabimi im dhe më vjen keq për këtë. Unë themelova Facebook, unë e drejtoj dhe unë jam përgjegjësi për këtë që po ndodh”.

Zuckerberg pranoi se Facebook u tregua i ngadaltë në kuptimin e kërcënimit rus që i kanosej zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2016. Ai pranoi se anëtarë të stafit të Facebook janë marrë në pyetje nga ekipi i prokurorit special Robert Mueller, i ngarkuar për zbardhjen e skandalit “Russiagate”.

Një tjetër gabim i rëndë që Zuckerberg pranoi ishte besimi te “Cambrigde Analytica”, kompania që dyshohet se shpërndau të dhënat e 87 milionë përdoruesve te hakerat rusë.

Mirëpo në mesin e senatorëve kishte mjaft skepticizëm për format që Facebook zgjedh të lidhë njerëzit me njëri-tjetrin, si edhe për nivelin jo të sigurt të privacisë së mesazheve. Ky i fundit një nga shqetësimet më të mëdha të  autoriteteve amerikane, pasi Facebook ruan të drejtën e mbledhjes së mesazheve përmes aplikacionit Messenger.

Tv Klan