Kompania “Meta”, e cila ka nën zotërim Facebook, Instagram dhe WhatsApp ka njoftuar se pritet të shkurtojë 10,000 vende pune. Kjo do të shënojë valën e dytë të largimeve masive nga puna nga gjiganti i teknologjisë, i cili pushoi nga puna 11,000 punonjës Nëntorin e kaluar.

Shefi ekzekutiv i “Meta”, Mark Zuckerberg tha se shkurtimet nga puna të një numri kaq të lartë punonjësish janë të vështira.

“Përveç shkurtimit të 10,000 vendeve të punës, 5,000 vende të lira pune në firmë do të mbeten të paplotësuara”, i tha ai stafit.

Gjiganti i teknologjisë “Meta” njoftoi më parë se në 3 muaj deri në Dhjetor 2022, të ardhurat u ulën me 4% nga viti në vit, megjithatë kompania njoftoi se arriti të fitonte më shumë se 23 miliardë Dollarë gjatë 2022-shit.

Zuckerberg përmendi normat më të larta të interesit në SHBA, paqëndrueshmërinë gjeopolitike globale dhe rritjen e rregullores si disa nga faktorët që ndikojnë në kompani.

“Unë mendoj se duhet të përgatitemi pasi mund të ndodhë që ky realitet i ri ekonomik të vazhdojë për shumë vite,” tha ai.

Shkurtimet e fundit të vendeve të punës vijnë pasi kompanitë, përfshirë Google dhe Amazon, janë përballur me mënyrën se si të balancojnë masat për uljen e kostove me nevojën për të mbetur konkurrues në tregun teknologjik./tvklan.al