Për të dytën ditë radhazi, themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg doli përpara Komisionit të Drejtësisë në Kongresin Amerikan, lidhur me skandalin që ka kapur gjigandin e rrjeteve sociale, për dhunimin e privacisë së mbi 87 milionë përdoruesve.

Ashtu si në seancën e parë, Zuckerberg ruajti një retorikë reflektimi, duke nënvizuar në disa raste nevojën që ka Facebook për një reformim të thellë dhe të pashmangshëm.

Mirëpo në panel, themeluesit të rrjetit social iu kujtua se që prej krijimit të Facebook, ai kishte kërkuar falje vazhdimisht për keq funksionimin e platformës së tij. Mesa duket vetë kontrolli i Facebook nuk funksionon, tha një nga senatorët, duke lënë të kuptohet se duhet të jetë shteti rregullator.

Zuckerberg pranoi përpara senatorëve se edhe të dhënat e tij personale janë grabitur dhe u janë shitur palëve të treta për qëllime të errëta.

Sakaq vlera në bursë e Facebook gjatë kohës kur Zuckerberg po përgjigjej në Kongres, pati një trajektore të pazakontë, duke shënuar rënie.

Të martën, gjatë seancës së parë, Mark Zuckerberg pranoi se Facebook ka dështuar në parandalimin e shpërndarjes së Fake News, ndërhyrjes së jashtme dhe cënimit të të dhënave private. Ky është gabimi im dhe më vjen keq për këtë, tha Zuckerberg.

Tv Klan