Edhe Apeli i Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për pezullim nga detyra të zv/drejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi, deri në përfundim të hetimeve.

Ai dyshohet se ka dekonspiruar një hetim të strukturës ku ai drejtonte. Më datë 9 Prill, autoritetet gjermane u kanë dërguar një kërkesë autoriteteve shqiptare, për të marrë më shumë informacion lidhur me aktivitetin e dy trafikantëve shqiptarë, Aleksandër Prroni dhe Klaudio Vukaj.

Shkresë, e cila, për kompetencë i kalonte Operacionit Forca e Ligjit, nën drejtim të Artan Shkëmbit. Me datë 10 Prill, shkresa është marrë nga kreu i OFL-së, dhe sipas procedurës, i është deleguar për të vijuar me sqarimin e asaj se çfarë kërkonin autoritetet gjermane, njërit prej oficerëve të zyrës së OFL-së.

12 ditë më pas, pala shqiptare dërgon tek homologët gjermanë shkresën me të dhënat pasurore të dy personave. Të ndjerë të dekonspiruar, gjermanët nisën një hetim. Përgjatë hetimeve u gjetën bisedat mes trafikantëve shqiptarë në Gjermani nëpërmjet programit të paligjshëm Encro Chat.

Në telefonin e sekuestruar u gjet edhe fotografia me të dhëna nga programi hetimor, që në thelb janë sekret e që në to kanë akses vetëm organe të certifikuara. Pala gjermane ishte e bindur se sekreti kishte dalë nga oficerët shqiptarë.

Nga verifikimet rezultoi që i vetmi që ka hyrë në sistem për të kërkuar emrat e të dy personave ishte Artan Shkëmbi, detyrë funksionale kjo e çdo drejtuesi, të cilit i kërkohet informacion i detajuar. Përveç tij, në të njëjtën kohë kanë bërë kërkime edhe dy oficerë, të cilët kanë qenë të ngarkuar me detyrë nga kreu i tyre, për të përpiluar informacionin e kërkuar nga homologët. Edhe ata janë marrë në pyetje.

Pala gjermane iu drejtua Policisë Shqiptare e SPAK-ut, dhe thotë që janë dekonspiruar në hetimin e tyre. Gishti iu vu Artan Shkëmbit. Si përgjegjës i një institucioni tejet të rëndësishëm, ai dorëzon të gjitha gjërat edhe personale, dhe vendos të japë dorëheqjen.

Por duke qenë në fazën që hetimet nuk kanë përfunduar ende, u kërkua vetëm pezullimi i tij. Artan Shkëmbi u pezullua nga detyra më datë 28 Shtator dhe do të vazhdoje të mbetet jashtë zyrës deri në përfundimin e hetimeve.

Klan Plus