Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se janë siguruar votat dhe kuorumi i nevojshëm për zgjedhjen e presidentit.

“Jemi në pritje të takimit të kryesisë (së Kuvendit). Koha e seancës ende nuk dihet. Pritet të jetë pasdite”, tha Rexhepi.

Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti tashmë ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme e kuvendit, për zgjedhjen e presidentit të ri, merr vesh Radio Evropa e Lirë.

Që të thirret seanca për zgjedhjen e presidentit, duhen nënshkrimet e të paktën 40 deputetëve. Më pas, kryesia e kuvendit mblidhet për të caktuar kohën e mbajtjes së kësaj seance.

Jozyrtarisht, REL-i po ashtu merr vesh se Lëvizja Vetëvendosje është duke e shtyrë përpara nxjerrjen para kuvendit të një ligji, i cili do të rregullonte çështjen e votimit të diasporës nëpër ambasadat që Kosova ka në botë. Ky legjislacion, LVV-ja dëshiron që ta prezantojë para se të procedohet me votimin për presidentin.

Qeveria e Kosovës pritet të takohet gjatë së premtes në ora 16:00, por në njoftim nuk bëhen të ditura detajet e këtij takimi.

LVV-ja e Kurtit për postin e presidentit ka propozuar Vjosa Osmanin.

Osmani, ish-zyrtare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi në listë të përbashkët me LVV-në dhe mori më së shumti vota, përkatësisht, mbi 300 mijë.

Ish-partia e saj, LDK-ja, që është në opozitë, gjatë kësaj jave ka thënë se do të marrë pjesë në votimin e presidentit.

Megjithatë, ende nuk është e qartë se si do të veprojnë deputetët e LDK-së, pavarësisht vendimit të kryesisë së kësaj partie, që të mos bëjnë pengesa në zgjedhjen e presidentit.

Kundër zgjedhjes së Osmanit janë deklaruar partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ndërkaq, mbështetje për Osmanin kanë shprehur partitë e komuniteteve joserbe.

Më 22 mars është konstituuar kuvendi dhe po të njëjtën ditë është zgjedhur edhe qeveria e re. Qeveria e Kurtit mori mbështetjen e 67 deputetëve.

Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

LVV-ja ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.

Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi dha dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Këtë post e ushtroi Vjosa Osmani dhe pas zgjedhjes në krye të kuvendit, Glauk Konjufca mori edhe detyrën e ushtrimit të postit të presidentit./REL