“Nuk interpretojmë situatën politike në vend”

Zv/Presidenti i grupit të Partive Popullore Europiane Andrey Kovaçev, ka shprehur mbështetjen e çeljes së negociatave për vendin tonë dhe Maqedoninë e Veriut.

Teksa vizitoi zonën e Pustecit, Kovaçev tha se po punohet në këtë drejtim për të bindur edhe vendet skeptike.

“Pozicioni i PPE është që mbështesim plotësisht çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe besojmë se gjatë procesit  të hapjes së kapitujve, problematikat e vjetra si lufta ndaj korrupsionit, drejtësia duhet të adresohen por ne duhet t’i nisim tani negociatat me Shqipërinë dhe sigurisht ne po flasim me kolegët tanë të Holandës, Danimarkës, Francës dhe shpresojmë që t’i bindim ata se është momenti i duhur për çeljen e negociatave”.

I pyetur mbi deklaraten e Presidentit Meta se disa ndërkombëtarë po ndihmojnë mazhorancën në kapjen e drejtësisë, ai bëri këtë koment.

“Unë nuk mund të komentoj diskutimet e politikës së brendshme dhe mendoj se kjo nuk është puna ime. Interesi i qytetarëve të shqiptarë është që partitë politike të bëjnë kompromise të brendshme dhe interesi i Shqipëriseë është që të hapen negociatat. Rëndësi ka që Shqipëria të përmbushë kushtet e vëna”.

Por a do të ndikojë në hapjen e negociatave kriza politike?

“Ne nuk do të interpretojmë situatën politike, por presim që negociatat të happen”.

Kovaçev foli në mënyrë të veçantë edhe për rëndësinë e lirisë së medias në vend.

Tv Klan