Sistemi i bllokuar për më shumë se 10 ditë në doganat Kakavijë dhe Kapshticë në kufi me Greqinë në vitin 2002 krijoi radhë kilometrike.

Situata e krijuar në kufirin midis dy vendeve, Shqipëri-Greqi solli mjaft probleme dhe pwr pasojw edhe reagime politike. Zëvendësministri i Jashtëm grek Andreas Loverdos vizitoi Shqipërinë dhe takoi disa prej përfaqësuesve të politikës shqiptare, ku nënshkruan edhe një marrëveshje për të përmirësuar situatën. Në një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Andreas Loverdos u shpreh se problemi kishte qenë teknik, por shtoi se nëse problemi nuk përballohet në kuadrin e fqinjësisë së mirë do të ketë pasoja në të ardhmen.

“Problemi është teknik, burokratik dhe në njëfarë mënyre ishte e nevojshme të ndodhte sepse kemi njëfarë devijimi nga fenomeni pozitiv ku mijëra shqiptarëve iu dha karta jeshile. Është hera e parë që ndodh kjo gjë dhe mua më krijoi një ndjenjë të keqe sepse ishte hera e parë që erdha për një vizitë zyrtare dhe u ndjeva në një pozitë të vështirë. Anëtarët e qeverisë shqiptare e kuptojnë vështirësinë teknike të këtij problemi. Në dogana janë krijuar boshllëqe në sistem dhe ne u përpoqëm t’i mbulojmë ato, por nëse nuk e përballojmë këtë problem në kuadrin e fqinjësisë së mirë do të kemi probleme negative edhe në të ardhmen. Me zotin Malaj ramë dakord që vepra e parë që do financojmë është rruga Sarandë-Konispol, ku përfshihet edhe pika kufitare. Mua më vjen keq për këto pengesa njerëzore”, tha Loverdos./tvklan.al