Zëvendësministri i Brendshëm Besfort Lamallari mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Sigurinë e Brendshme (International Homeland Security Forum), që u zhvillua në Izrael.

Gjatë qëndrimit zv.ministri zhvilloi edhe disa takime me përfaqësues të rëndësishëm të vendeve partnere në fushën e sigurisë.

Në fjalën e tij përpara forumit, zv.ministri Lamallari u shpreh se Shqipëria ka dëshmuar vullnet të qartë në ruajtjen dhe ofrimin e sigurisë dhe paqes në rajon dhe më gjerë. Ai shtoi se siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor nënkupton një Evropë më të sigurt.

Gjatë qëndrimit në Izrael, zv.ministri pati një takim me Sekretaren për Sigurinë e Brendshme të SHBA, Kristjen Nielsen, të cilën e informoi mbi bashkëpunimin e shkëlqyer dhe asistencën e përfituar nga strukturat e anti-terror në Policinë e Shtetit. Ai e ftoi Sekretaren Nielsen që të vizitonte Shqipërinë.

Takimi i radhës i zv.ministrit Lamallari ishte me homologun e tij gjerman, Günter Krings të cilin e informoi mbi rezultatet pozitive në luftë kundër krimit te organizuar. Ai paraqiti një përmbledhje të operacioneve të realizuara nga Task Forca Speciale dhe Njësia Anti-Skifter.

Zv.ministri i Brendshëm gjerman Krings, vlerësoi punën e bërë dhe shprehu nevojën e vazhdimit dhe thellimit të bashkëpunimit dypalësh.

Lamallari u prit në një takim nga Ministri për Sigurinë Publike të Izraelit, Gildan Erdan, me të cilin diskutuan për bashkëpunimin dypalësh dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve.

Në përfundim, zv.ministri Besfort Lamallari nënshkroi deklaratën e përbashkët të vendeve partnere për thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit për adresimin e sfidave të përbashkëta si radikalizmi që çon në ekstremizëm, nxitja e urrejtjes dhe dhunës dhe terrorizmi.

Zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari dha një intervistë për mediat ku u ndal në rëndësinë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes vendeve dhe agjencive partnere.

/tvklan.al