Në një lidhje në Skype për programin “Historia ime”, në Tv Klan ishte Zv.Ministrja e Arsimit, Nina Guga.

Ajo u shpreh se maturantët janë kthyer në shkolla, nën masa strike dhe rigoroze të sigurisë, shëndetit dhe higjenës.

Më tej shton se drejtoritë e shkollave kanë marrë të gjitha masat për zbatim e protokollit të dalë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Guga shprehet se këto 3 javë, janë 3 javë konsultime mbi programet orientuese, për 4 lëndët e provimeve të maturës shtetërore.

Nina Guga: Është një kthim i maturantëve në bankat e shkollës, pasi dhe kërkesa nga vetë maturantët ishte pikërisht një komunikim i drejtpërdrejtë i maturantëve me mësuesit. Ishte i domosdoshëm para fillimit të provimeve të maturës. Ata janë kthyer në shkolla, sigurisht nën zbatimin e masave strike dhe rigoroze të protokollit të sigurisë, shëndetit dhe higjenës në shkollë. Gati në të gjithë Shqipërinë, 31 mijë maturantë janë akomoduar në 500 shkolla, duke ruajtur ndërkohë distancimin fizik, ku në çdo klasë nuk ka më shumë se 10-12 nxënës, duke ruajtur atë distancimin 1.5-2 metër. Drejtoritë e shkollave kanë marrë të gjitha masat, që në zbatim të protokollit të dalë nga Instituti i Shëndetit Publik, ata të përshtasin sipas një rregulloreje të çdo shkolle, e cila e ka të detyrueshme ta zbatojë atë, nga të gjithë aktorët e shkollës, nga nxënësit, mësuesit dhe gjithë punonjësit e tjerë.

Mirela Milori: Ka filluar mësimi në të gjitha gjimnazet e vendit? Të gjithë maturanët janë ulur në banga tani që flasim, në të gjitha skajet e Shqipërisë?

Nina Guga: Kthimi në bankat e shkollës, nuk është një kthim i detyrueshëm për maturantët.

Mirela Milori: Për ata që duan konsultime në fakt!

Nina Guga: Po sigurisht sepse këto 3 javë, janë 3 javë konsultime të përsëritjes mbi programet orientuese, për 4 lëndët e provimeve të maturës shtetërore. Por për një pjesë apo një përqindje tashmë të listuar të nxënësve, që nuk kanë mundësinë për të ardhur në shkollë, apo kanë problematika të ndryshme. Ata kanë njoftuar drejtoritë e shkollave, që nuk do jenë pjesë e mësimit direkt në shkollë, por me ta do të vazhdojë mësimi online, siç edhe e kanë patur deri tani./tvklan.al