“Zv/ministrja më tha ligji ta jep, Sigurimet Shoqërore nuk ma japin”

“Zv/ministrja më tha ligji ta jep, Sigurimet Shoqërore nuk ma japin”

21:11 05/09/2019

Paraplegjik i grupit të parë, po nuk merr dot rimbursimin e karburantit

Në bazë të ligjit ka disa kategori, që u njihet dhe rimbursohet shpenzimi i karburantit. Por Guxim Goga, një invalid me status “paraplegjik i grupit të parë”, tregon se ka shkuar të kërkojë këtë të drejtë të tijën dhe i është thënë se i takon, por nuk ka fonde.

Quhem Guxim Goga, prej vitit 2014 më ka ndodhur një fatkeqësi. Unë punoja në një shtëpi botuese dhe prej asaj periudhe shkoj në spital me dhimbje të forta, prej një gjilpëre më ka ndodhur një paralizim dhe kam mbetur me aftësi të kufizuara. Prej vitit 2017 posedoj një makinë dhe sipas ligjit shqiptar më takon rimbursimi i karburantit. Kam shkuar për ta kërkuar tek sigurimet shoqërore sepse jam invalid pune, por më thonë se nuk kemi fonde. Jam takuar me zv/ministren dhe ajo më ka thënë se ligji ty ta jep, ty të takon, mirëpo sigurimet shoqërore nuk ma japin. Më thonë nuk ka fond. Kam bërë edhe kërkesë me shkrim vitin e kaluar, nuk më kanë kthyer përgjigje. Kjo makinë është e përshtatur për persona me aftësi të kufizuar, kërkoj që kërkesa ime të merret parasysh për rimbursimin e karburantit.

Ali Emini, nëndrejtor i ISSH-së, shpjegon se ky problem është krijuar pasi Ministria e Financave nuk po e miraton fondin edhe pse nga ISSH janë bërë kërkesa të shumta.

Ai thotë, se do i nisin një shkresë të veçantë për rastin e Guximit, pasi ky i fundit i plotëson të gjitha kushtet për rimbursimin e karburantit.

ISSH në zbatim të statusit të invalidit, deri në vitin 2011 ka pasur të ngritur një komision që merrte në shqyrtim kërkesat e këtyre invalidëve, të cilët mund të ishin pajisur me mjete motorike nga sigurimet shoqërore, plotësonin disa kushte të përcaktuara në rregullore. Nga këta kanë mbetur dhe trajtohen edhe 485 invalidë. Mund të jenë rreth 700 persona që janë në kushte shëndetësore për tu trajtuar, por që nuk trajtohen. Mbas heqjes së taksës doganore, edhe komisioni i zhdoganimeve të mjeteve në ISSH përfundoi funksionin. Të gjithë invalidët që kanë marrë mjete apo kanë siguruar mjete mbas kësaj periudhe nuk marrin. Është një çështje e drejtë, është një çështje që duhet zgjidhur. ISSH ka bërë disa herë shkresa në ministri. Nuk ka asnjë vendim komisioni, por vendimin nuk e ka për arsye se nuk ekziston komisioni. Duhen të paktën mbi 60-70 milionë lekë të reja për t’i mbyllur trajtimet e tyre. Kërkesa më e fundit është e datës 25 Mars 2019. Duhet të hyjë në rrugën e buxhetimit nga buxheti. Jemi në fazën që buxheti tani po bëhet, është faza e parë. Edhe për rastin që ju keni ngritur, ne përsëri do ta ngremë si një nga rastet e veçanta, që të gjendet mundësia edhe e trajtimit të kësaj kategorie”, tha Ali Emini.

Për të pyetur se sa i domosdoshëm dhe i nevojshëm është procesi i rimbursimit të karburantit tek personat me aftësi të kufizuar, “Stop” iu drejtua Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi.

Dorjan Konomi, Komisioner për mbrojtjen nga Diskriminimi: Kemi ndryshim të ligjit të 2011-ës, për taksat kombëtare dhe një praktikë të gabuar nga ISSH, që thotë se ne nuk rimbursojmë naftën për makinat që blejnë vetë individët, apo duke qenë se taksat janë hequr tashmë për ata që përdorin makina, nuk është më, thonë ata, nën juridiksionin tonë. Në fakt nuk është kështu, sepse me VKM 723 të vitit 1998, është më se e qartë që çdo person që ka statusin e invalidit të punës, meriton të ketë karburant falas. Këtu është ngërçi që po krijohet, ne kemi dhënë rekomandimin tonë që kjo është diskriminim brenda të së njëjtës kategori. Dhe i kemi kërkuar ISSH që të pranojë çdo kërkesë që vjen nga invalidët e punës.  Unë do thoja që është shumë e nevojshme që ata të marrin karburant, është jetë për personin me aftësi të kufizuara. Transporti në të gjithë botën konsiderohet si një ndër të drejtat themelore. Lëvizja e lirë dhe lëvizja e pavarur është një ndër kushtet themelore për integrimin e personave me aftësi të kufizuar./tvklan.al

LAJMET
Të ngjashme
UKT