Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e pakthyeshme dhe nuk do të ndryshojë. Kosova e bashkuar dhe e pandarë kjo është absolutisht thelbësore, ka thënë zëvendës presidenti amerikan Joe Biden gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës.

Pas mbërritjes në Prishtinë rreth orës 9:30, Biden u takua me udhëheqësit më të lartë të Kosovës presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, prej të cilëve morri edhe medaljen e lirisë.

Gjatë konferencës për shtyp me liderët kosovarë Biden i përgëzoi institucionet e Prishtinës për progresin e arritur deri tani në kuadër të bashkëjetesës me komunitetin serb, duke shtuar se e ka porositur Beogradin se Kosova nuk mund të ndahet.

Numri 2 i shtëpisë së bardhë këshilloi që shteti duhet të vijoje përpara me planin Ahtisari dhe t’i japë pushtetin e duhur komuniteteve entike duke garantuar se suksesi i shtetit të ri të Kosovës është prioritet i administratës Obama dhe se e ardhmja e rajonit është në BE.

Vizita e krahut të djathtë të presidentit Obama është mirëpritur nga kosovarët “Mirë se vini dhe  faleminderit” këto ishin fjalët e shkruara nëpër posterat e vendosura në kryeqytetin Kosovar.

Mijëra nxënës ishin rreshtuar në rrugën që ndoqi Biden deri në Kuvend duke mbajtur në duar flamujt kosovar dhe amerikan. Masa të rrepta sigurie u morën për të garantuar ndalesën e tij në Kosovë.

Kjo vizitë e nivelit më të lartë politik që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit të shkuar vlerësohet si historike dhe dëshmon se SHBA janë të përkushtuara për Ballkanin dhe për Kosovën në veçanti./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle