Shfaqet pa maskë në spital

Zëvendës Presidenti i SHBA, Mike Pence ka vizituar një spital amerikan pa përdorur maskë, pavarësisht rregullave të vetë qendrës mjekësore, që vizitorët duhet të veshin pajisje personale mbrojtëse.

Pence dukej se ishte personi i vetëm i pranishëm në Klinikën Mayo në Minesota, pa maskë në fytyrë.

Këshillat e vetë qeverisë amerikane në kuadër të parandalimit të virusit janë që njerëzit duhet të mbajnë maska në ambientet publike. Sidomos aty ku edhe masat e tjera distancuese sociale janë të vështira për t’u respektuar.

Pence u shoqërua nga komisioneri  i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave, Stephen Hahn, i cili në ndryshim prej tij kishte vendosur maskë.

I pyetur nga një reporter për arsyen pse nuk mbante maskë, zv/Presidenti tha se ai dhe të gjithë rreth tij testohen rregullisht për virusin.

“Meqënëse nuk kam virus, mendova se do të ishte një mundësi e mirë për mua të jem këtu, të jem në gjendje të flas me këta studiues, këtë personel të jashtëzakonshëm të kujdesit shëndetësor, t’i shikoj në sy dhe t’u them faleminderit”.

Sipas webfaqes së lajmeve “Axios”, Pence nuk ka vendosur asnjëherë një maskë në publik, që nga fillimi i pandemisë, edhe pse ka udhëtuar në të gjithë vendin./tvklan.al