Kufizime udhëtimi për shtetasit nga disa vende të BE-së dhe të Afrikës

Votuesit zviceranë duket se kanë mbështetur planin e qeverisë për reagimin me të ashpër ndaj pandemisë së koronavirusit në referendumin e kësaj të diele.

Nga sondazhet paraprake rezulton pak më shumë se 60% e votuesve mbështesin ligjin e miratuar këtë vit për të ofruar ndihmë financiare për njerëzit e goditur nga kriza COVID-19. Qytetarët zviceranë kanë dhënë mbështetje edhe në kërkesën qeveritare që për të hyrë në bare, restorante duhet të paraqesin certifikatën e vaksinimit ose një test negativ. Kufizimet në jetën publike për të frenuar rritjen e numrave të të infektuarve me koronavirus kanë ndezur kundërshtime në Zvicër dhe sollën mbajtjen e këtij referendumi.

Qeveria zvicerane vendosi kufizime të reja udhëtimi ndaj shtetasve nga Belgjika, Republika Çeke, Holanda, Mbretëria e Bashkuar, Izraeli, Hong Kongu, Egjipti dhe shumë vende afrikane të cilët mund të hyjnë në këtë shtet vetëm kur kanë nënshtetësinë zvicerane ose një leje qëndrimi në zonën Shengen.

Ata gjithashtu do të duhet të paraqesin një rezultat negativ të testit dhe të karantinohen për 10 ditë pas mbërritjes për të frenuar përhapjen e variantit të ri të koronavirusit Omicron. Masa e karantinës për këta shtetas të huaj vlen edhe për ata që janë vaksinuar plotësisht apo rezultojnë të shëruar nga Covid-19.

Të gjitha fluturimet direkte nga Afrika Jugore drejt Zvicrës janë të ndaluara. Lejet speciale do të lëshohen për riatdhesimin e shtetasve ose banorëve zviceranë që ndodhen aktualisht në këto zona të rrezikshme. Autoritetet zvicerane rekomanduan injeksione përforcuese të Covid-19 për të gjithë mbi moshën 16-vjeçare. Numri i rasteve me Covid-19 në Zvicër është rritur ndjeshëm.

Në 24 orët e fundit u raportuan 8032 raste të reja, shifër 50% më e lartë se niveli në fillim të javës së kaluar. Shifrat e të infektuarve të rinj me Covid-19 po dyfishohen çdo javë.

Klan News