Kievi propozon Zvicrën si vendin ku mund të zhvendoset raundi i radhës i bisedimeve të paqes mes Ukrainës dhe Rusisë. Varianti i Vatikanit i hedhur nga presidenti amerikan Donald Trump në fillim të kësaj jave, i pranuar edhe nga vetë Selia e Shenjtë refuzohet nga ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

“Aspak elegant” e konsideroi shefi i diplomacisë ruse Vatikanin, qendrën e katolicizmit, si vend ndërmjetës mes dy shteteve në luftë, me shumicë të krishterë ortodokse. Duke folur në Akademinë Diplomatike të Moskës, Lavrov tha se përgatitjet për takimin e dytë të drejtpërdrejtë Kiev-Moskë janë në faza të përparuara. Megjithatë, ai e bëri të qartë se Rusia nuk do të lejojë rusisht folësit në Ukrainë, të jetojnë nën pushtetin “juntës”, siç e quajti ai, të Volodimir Zelenskit.

Më 16 maj në Stamboll të Turqisë, diplomatët e Kievit dhe Moskës, zhvilluan të parin takim kokë më kokë pas rreth 3 vitesh, këtë herë pas një ndërmjetësimi 3 mujor mes palëve të administratës së Donald Trump-it. Ky takim prodhoi shkëmbimin më të madh të ushtarëve rob dhe civilëve mes rusëve dhe ukrainasve. Të dyja palët kanë dorëzuar secila nga 390 ushtarë dhe civilë në shkëmbimin më të madh e të burgosurve që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në vitin 2022.

Tv Klan