Myslimanët: Vendimi hap plagë të vjetra dhe zgjeron më tej parimin e pabarazisë ligjore

Zvicra ka votuar në favor të ndalimit të mbulesave të fytyrës në publik, duke përfshirë burka ose nikabin e veshur nga gratë myslimane.

Rezultatet zyrtare treguan se masa kishte kaluar me 51.2% në 48.8% në referendum. Propozimi u paraqit nga Partia Popullore Zvicerane (SVP) e krahut të djathtë e cila bëri fushatë me parulla të tilla si “Stop ekstremizmit”.

Këshilli Qendror i Myslimanëve në një deklaratë u shpreh se vendimi hap plagë të vjetra, zgjeron më tej parimin e pabarazisë ligjore dhe i dërgon një sinjal të qartë përjashtimi pakicës myslimane.

Qeveria Zvicerane kishte argumentuar kundër ndalimit duke thënë se nuk i takonte shtetit të diktonte atë që veshin gratë. Sipas hulumtimit nga Universiteti i Lucernit , pothuajse askush në Zvicër nuk mban burka dhe vetëm rreth 30 gra mbajnë nikab. Rreth 5% e popullsisë së Zvicrës prej 8.6 milion njerëz janë myslimanë, shumica me origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova.

Nuk është hera e parë që në Zvicër bëhen referendume të tilla. Në vitin 2009 qytetarët votuan për të ndaluar ndërtimin e minareve, një propozim i paraqitur gjithashtu nga Partia Popullore Zviceriane e cila  bëri të ditur se minaret ishin një shenjë e islamizimit.

Amnesty International është shprehur kundër ndalimit të propozuar, duke e quajtur atë një politikë të rrezikshme që shkel të drejtat e grave, përfshirë lirinë e shprehjes dhe fesë. Veshja e mbulesave islamike në publik ka qenë një temë e diskutueshme edhe në vendet e tjera evropiane. 

Franca ndaloi të mbante një vello të plotë të fytyrës në publik në 2011 ndërsa Hollanda, Danimarka, Austria dhe Bullgaria kanë vendosur ndalime të plota ose të pjesshme të veshjes së mbulesave të fytyrës në publik.

Klan News