Shoqëria civile thotë se qëllimi i referendumit është islamofobik

“Ndal ekstremizmi!” lexojnë tabelat në një fshat të qetë jashtë Zyrihut, me fotografinë e një gruaje me një shami të zezë që i mbulon edhe fytyrën.

Tabela është pjesë e fushatës që po ndërmerr Partia Popullore Zvicerane e ekstremit të djathtë për të ndaluar mbulimin e fytyrës në publik, çështje për të cilën do të mbahet më 7 mars edhe një referendum. Sondazhet tregojnë se shumica e zviceranëve do ta mbështesin nismën dhe ndalimi i mbulimit të fytyrës do të kthehet në ligj.

“Për ne nikabi është shokues. Bie thellësisht në kundërshtim me vlerat e ndryshme të civilizimit tonë, vetëm sepse për ne njerëzit e lirë fytyra duhet treguar në çdo rrethanë,” thotë Jean-Luc Addor, nga komiteti organizator i referendumit.

Gjatë fushatës nuk po përmendet drejtpërdrejt islami, pasi nëpërmjet ligjit të ri synohet të ndalohen edhe protestat e dhunshme të tifozëve të futbollit që zakonisht mbajnë maska. Por shoqëria civile dhe mediat thonë se synimi kryesor është ndalimi i burkës.

Propozimi për referendumin tregon marrëdhënien e vështirë të Zvicrës me islamin, ndërsa në vitin 2009 në vend u ndalua ndërtimi i minareve në xhami. Dy kantone e ndalojnë që tani mbulimin e fytyrës.

Franca e ndaloi mbulimin e fytyrës në publik në vitin 2011, ndërsa lije të ngjashme ka Danimarka, Austria, Holanda dhe Bullgaria.

Në Zvicër nuk gjen myslimane që mban burka ndërsa gratë mbi 30 vjeç mbajnë niqab, tregon një studim i Universitetit të Lucernes. Myslimanët përbëjnë 5.2% të popullsisë prej 8.6 milionë të Zvicrës, shumica e të cilëve me origjinë nga Turqia, Bosnja dhe Kosova.

“Duke marrë parasysh këto shifra i gjithë debati është kolosal,” thotë Andreas Tunger-Zanetti, nga Qendra Kërkimore e Universitetit të Lucerne-it. Ai shton se ndalimi i mbulimit të fytyrës do të çimentojë imazhin e Zvicrës si një vend anti-islamik.

Myslimanët e Zvicrës thonë se partitë e ekstremit të djathtë po përdorin referendumin për t’i demonizuar dhe shtuar përçarjen.

Klan News