Kërkesa e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për “korrigjim” të kufijve është në kundërshtim me Nenin e parë të Kushtetutës së vendit. Madje kjo përveçse nga juristët, konfirmohet edhe nga vetë Zyra e Presidentit.

Por derisa juristët thonë se kjo është një ide e rrezikshme, pasi sipas tyre dobëson edhe pozitën negociuese të Kosovës, Zyra e Presidentit thotë se në rast se arrihet marrëveshja me Serbinë në përputhje me opsionin për korrigjim të kufijve, që do të mundësonte bashkimin e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës me Kosovën, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Bekim Çollaku, këshilltar i presidenti të vendit, ka thënë për gazetën “Zëri’ se është e qartë se ndryshimi i kufijve është në kundërshtim me Kushtetutën e vendit dhe se nëse arrihet marrëveshja që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, atëherë duhet të ndryshohet Kushtetuta./klankosova