Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, njoftojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

“Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”, thuhet në njoftimin e Dhomave të Specializuar, duke shtuar se detaje të tjera lidhur me këto operacione do të jepen më vonë.

Ende nuk ka informacione se në cilat lokacione po kryhen këto operacione.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu arrestimin e parë në Kosovë në muajin shtator. Më 24 shtator, Salih Mustafa, ish-epror i UÇK-së për Zonën e Llapit u arrestua në shtëpinë e tij në periferi të Prishtinës.

Aktakuza e ngarkon Mustafën për kryerjen e krimeve të luftës, përfshirë këtu veprat penale si: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.

Gjatë seancës së mbajtur më 28 tetor, Mustafa është deklaruar i pafajshëm në të gjitha pikat e akuzës.

Prokuroria e Specializuar në Hagë heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 e deri në dhjetor të vitit 2000. Këto krime të pretenduara përmenden në një raport të Këshillit të Evropës, të vitit 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i kishte paraqitur aktakuzat e para në muajin shkurt të këtij viti dhe pastaj edhe një në muajin prill./REL