Gjykata Administrative ka shtyrë me 5 ditë vendimin që do të zgjidhë ngërçin e krijuar mes partisë Fryma e Re Demokratike dhe Bashkisë së Tiranës për lirimin e zyrave të selisë.

Sipas shkresës së Bashkisë Tiranë dërguar disa ditë më parë, sot është afati i fundit që FRD të lirojë ambientet.

Por kryetari i kësaj partie, Sali Shehu, në një deklaratë për mediat përpara zyrave të partisë, tha se çështja është në gjyq dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar, e për këtë është vënë në dijeni Bashkia e Tiranës dhe institucione të tjera.

“Çështja është në Gjykatën e Shkallës së Parë e cila u shty sot për shkak të bashkimit të dy padive në një të vetme e cila do të shqyrtohet brenda 5 ditëve. Presim vendimin e gjykatës. Ligji na garanton të drejtën, partitë politike që kanë mbi 1% të votave në dy zgjedhjet e3 fundit kanë të drejtën të kenë një seli. Kontrata që lidhet me këto parti për kohë qëndrimi në seli është e pa afat. Çdo qytetar garancinë te ligji e ka. Ne do t’u nisim zyrtarisht shkresat zyrtare ligjore Bashkisë dhe çdo institucioni se çështja është në gjyq, nuk ka një vendim të formës së prerë. Bashkia është në dijeni që ne jemi në gjyq. Ne do vazhdojmë fushatën si çdo ditë”, tha kryetari i FRD Sali Shehu. /tvklan.al