Një nga formatet më të suksesshme në Britaninë e Madhe, “Love Island”, vjen për herë të parë në Shqipëri, ekskluzivisht në ekranin e Televizionit Kombëtar Klan, nën drejtimin e Luana Vjollcës.

Tv Klan ka blerë patentën për realizimin e formatit të famshëm ‘Love Island Albania’, një program ky që ka thyer rekorde audience në më shumë se 25 shtete të botës.

I njëjti format ‘Reality Dating Show’, i realizuar me të njëjtën formulë si në Britani, Amerikë, Spanjë, Holandë, Gjermani, Suedi, Itali, Greqi e shumë vende të tjera të botës do të vijë për herë të parë në Shqipëri në ekranin më të madh në mbarë trevat shqiptare, Televizonin Kombëtar Klan.

Ende nuk mund ta besoj”, shkruan drejtuesja Luana Vjollca në postimin e saj në rrjetet sociale.

Prej disa muajsh ka nisur puna për formatin ndërkombëtar i cili pritet të nisë transmetimin së shpejti në Tv Klan, por gjatë kësaj jave Luana Vjollca dhe stafi drejtues i Tv Klan kanë shkuar në Amsterdam, Holandë për takime pune me përfaqësues të ‘ITV Studios’, rrjeti britanik mbajtës i të drejtave të formatit.

Konkurrentët (të quajtur ndryshe banorët e ishullit) do të duhet të qëndrojnë të izoluar në një vilë luksoze të vëzhguar nga kamera.

Për të vijuar rrugëtimin e tyre ata duhet të shoqërohen me një tjetër konkurrent deri në fund të spektaklit për dashurinë e vërtetë, miqësinë apo vetëm për të fituar çmimin e madh.

Çdokush që mbetet ‘Single’ (i vetëm), eleminohet nga ‘Love Island’, por edhe publiku ka një rol të rëndësishëm në vendimet që merren brenda vilës. Të gjithë do të përballen me lojëra dhe sfida për të testuar aftësitë e tyre fizike e mendore për të shpallur në fund çiftin fitues.

‘Love Island’ është një format i suksesshëm ndërkombëtar që po thyen rekorde shikueshmërie kudo ku transmetohet. Edhe në Shqipëri në Tv Klan do të jetë padiskutim suksesi i radhës. Nën moderimin e Luana Vjollca ju pret një aventurë e jashtëzakonshme, së shpejti në Tv Klan./tvklan.al