Skënder Gega është trajneri i ri i Partizanit. Njoftimi është dhënë nga vetë klubi i kuq, nëpërmjet një komunikate zyrtare.
Gega rikthehet te Partizani, me të cilët fitoi titullin kampion në sezonin 2018-2019. Vendimi i drejtuesve ka ardhur menjëherë pas humbjes ndaj Dinamos në derbi, ku skuadra u drejtua nga Arbër Abilaliaj, i cili ka postin e drejtorit sportiv.
“FK Partizani zyrtarizon arritjen e marrëveshjes me trajnerin Skënder Gega. Presidenti Gazment Demi në praninë e Drejtorit të Përgjithshëm Olsi Rama dhe drejtorit sportiv Arbër Abilaliaj ka prezantuar sot para ekipit trajnerin Gega.
Gega do të jetë pjesë e të kuqve për pjesën e mbetur të sezonit me opsion rinovimi edhe për sezonin e ardhshëm. Në drejtimin e Gegës të kuqtë fituan titullin kampion në sezonin 2018 – 2019”, thuhet në njoftimin e klubit.
Gega bëhet trajneri i tretë për të kuqtë këtë sezon, pas Orges Shehit dhe Aleksandar Veselinovic. Skuadra për disa javë u drejtua nga Arbër Abilaliaj. Të kuqtë mbajnë vendin e katërt në renditje me 44 pikë.
/tvklan.al