Kombëtarja fitoi ndeshjen e shtyrë prej motit te keq me Maqedoninë me golin e Bekim Balajt, në çastet e fundit. Kuqezinjtë triumfuan me rezultatin 2 – 1 në Shkodër në takimin e parë kualifikues të Botërorit 2018, ndërsa tifozët nuk ishin aq të shumtë sa një ditë më parë edhe pse hyrja ishte e lirë.

tifozet

Ekipet zbritën në fushën e “Loro Boriçit” në orën 14:00 të së martës ashtu siç u vendos duke e nisur nga minuta e 76’.

Në mbrëmjen e së hënës Armando Sadiku kishte shënuar i pari, pas një pasimi të artë nga Elseid Hysaj. Pas pushimit mes dy pjesëve Maqedonia barazoi rezultatin.

Një gabim i Burim Kukelit i dha mundësinë lojtarit me prejardhje shqiptare Ezgjan Alioski të mposhte mbrojtjen dhe portierin Etrit Berisha. Reshjet e forta të shiut e shtynë përballjen, por kuqezijtë nuk e humbën shpresën.

Pas disa përpjekjeve një krosim në zonë i Ledian Memushajt u shfrytëzua nga Bekim Balaj, i cili hyri si zëvendësues.

Goli i shkodranit në minutën e 89’ nisi festën në Loro Boriçi, aty ku nuk kishte shënuar më parë me fanellën e Kombëtares. Koha shtesë ishte me raste në të dy portat, por rezultati mbeti i pandryshuar. Kundërshtari i radhës për Shqipërinë do të jetë më 6 tetor në fushën e Lihtenshtejnit. /TV KLAN