Zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe një prokuror i krimeve të rënda kanë shkuar në Shkodër një ditë pas vrasjes së tregtarit Fatos Ferracaku.

Drejtori për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka ka mbledhur në takim drejtues të strukturave vendore të uniformave blu në qytetin verior. Ndërsa prokurori i krimeve të rënda po ndihmon në hetimet për këtë ngjarje të rëndë kriminale. Deri tani janë shoqëruar disa persona, megjithatë ende nuk ka asnjë informacion konkret për autorët e dyshuar.

Ditën e djeshme u vra tregtari i peshkut Fatos Ferracaku 40 vjeç dhe u plagos kunati i tij Fatmir Mehaj. Dy persona të maskuar me motor qëlluan me armë 40-vjeçarin Ferracaku dhe plagosën Fatmir Mehajn. Ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Fatos Ferracaku ndërroi jetë në spital. Motori i dy atentatorëve të dyshuar u gjet i djegur në periferi të qytetit.

Shkaqet dhe motivet e ngjarjes së rëndë që tronditi Shkodrën në mes të ditës nuk dihen. Në fillim të muajit Shtator u vra biznesmeni Arjan Ferracaku, i afërm i 40-vjeçarit Fatos Ferracaku që u ekzekutua paraditen e së mërkurës. Edhe ngjarja e Shtatorit është ende e pazbardhur.

/tvklan.al