Emisioni Stop në Tv Klan është ndalur në njësinë administrative Fushë-Cidhem të Peshkopisë për problemin e shtetasit Naim Karoshi, i cili trajtohet me ndihmë ekonomike.

Së fundi ai ka zbuluar se janë pasqyruar si të marra prej tij pagesat e kompensimit të energjisë elektrike dhe kompensimi prej 300 Lekësh të reja për fëmijën 12 vjeç, që ka në shkollë. Konkretisht, për këtë të fundit zotëria pretendon se nuk janë marrë 17 muaj.

Naim Karoshi: Kam vite që shoqërohem me ndihmë ekonomike pasi jemi të papunë. Kam vërejtje sa i përket kompensimit të dritave 6-mujorin e dytë të 2019, edhe kompensimin që jep vendimi i Këshillit të Ministrave për fëmijët e shkollës, një 3 mijë Lekësh në muaj nga Janari 2018 deri në Maj 2019. Këto figurojnë në bordero lekë të marra nga unë. Pas debateve që bëmë, për 7 muaj i kam marrë në mënyrë jo ligjore tek pagatari. Kompensimin e djalit, thotë zotëria, shko e merri tek përgjegjësi i ndihmës ekonomike. Më dha 83 mijë Lekë për dritat dhe i thashë më jep të firmos në bordero. Më tha nuk i kam këtu, i kam në makinë. Aktualisht unë jam 4 persona në familje, më takojnë 52 mijë Lekë, plus 6 mijë e 4 qind drita. I shkova punonjësit të ndihmës ekonomike që dua lekët e djalit, me tha që mos u mërzit se do të t’i shtoj nga pak, nga 10 mijë çdo muaj, për 5 muaj rresht. Për 17 muaj dua 3 mijë lekëshin e djalit që është firmosur në emrin tim.

Administratori i ndihmës ekonomike, Selim Kukeli, pranon se ka shkuar në shkollën e fëmijës 12-vjeçar të Naim Karoshit dhe ka marrë vërtetim për vitin 2018-2019 në emër të babait të fëmijës dhe është shënuar në sistem sikur janë marrë 300 Lekë të reja në muaj nga zotëria.

Por përveç këtij problemi, Naim Karoshi ka edhe një shqetësim tjetër që ka të bëjë me kompensimin e energjisë elektrike. Për 8 muaj, postieri i zonës, që është në fakt nipi i Naimit, i ka dhënë dorazi 83 mijë Lekë të vjetra.

Në një bisedë telefonike me gazetaren e Stop, postieri mohoi që të kishte dhënë dorazi 83 mijë lekë të vjetra.

“Nuk i kam dhënë asnjë lek, se nuk i kam majt asnjë lek, nuk kam lidhje fare. Nxirre pak atë gocën e huj, ta sqaroj, masanej ti. Te unë ça kërkon mor daje? Kush është Selimi, shko e sqaroje me atë, mor daje! Merr atë vërtetimin dhe i merr”.

Më pas gazetarja u takua me drejtorin e Postës Peshkopi, ku kërkoi borderotë për 3 vitet e fundit.

Gazetarja: Është e vërtetë, që ju i keni mbaruar punë zotërisë dhe i janë kthyer nga postieri juaj vlera monetare 83 mijë lekë të vjetra?

Drejtori i Postës: Në qoftë se unë kam thirrur postierin, në qoftë se ka mangësi, në qoftë se zotëria ka të drejtë, i është kthyer lekë. Në qoftë se ka çdo lloj shkelje, merren masa. Unë zotërinë e kam përcjellë atje, të shihen dokumentacionet.

Gazetarja: A do mund të m’i sillni borderotë për 3 vitet e fundit?

Drejtori i Postës: Patjetër, që po!

Prej këtej, gazetarja e Stop iu drejtua Agjencisë Rajonale të Punësimit Peshkopi, institucioni ku kalon dokumentacioni në mënyrë që të aprovohet ndihma ekonomike, pasi pjesëtarët e familjes duhet të regjistrohen si të papunë, që të përfitojnë ndihmën ekonomike. Pas gjithë verifikimeve rezulton se 51 mijë Lekë të vjetra janë marrë nga postieri ose administratori.

Punonjësi: Personi, për çdo dokument, që e ka shërbimin, ia jep Njësia Administrative. Punonjësi i Njësisë Administrative ka për detyrë t’i thotë që çdo mua, qoftë ke një ndryshim për gjendjen social-ekonomike.

Gazetarja: Jemi përpara këtij fakti. A ka shanse që zotëria t’i marrë ato pagesa?

Punonjësi: Me sistemin e ri të Ndihmës Ekonomike, nuk jepen pagesa të prapambetura.

Gazetarja: A është shkelje, kur punonjësi i Njësisë Admnistrative shkon e merr vërtetim te shkolla?

Punonjësi: Po normal, që është shkelje. Duhet të shkojë vetë personi, ta dorëzojë, se s’dihet as data, kur është dorëzuar, kur shkon e merr vetë.

Gazetarja: Faleminderit!

/tvklan.al