Zyrtarët serbë, drejt vendvotimeve pa maska - Tv Klan

Zyrtarët serbë, drejt vendvotimeve pa maska



Zyrtarët serbë, drejt vendvotimeve pa maska

18:20 17/10/2021

Zyrtarë nga Mitrovica e Veriut nuk kanë respektuar të dielën masat në fuqi për luftim të pandemisë së koronavirusit në Kosovë.

Rrugës për në vendvotime, zyrtarë të Listës Serbe, por edhe nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq dhe bashkëpunëtorët e saj, janë parë pa maska.

Mbajtja e maskave, përfshirë në vendet e hapura, është ende në fuqi në Kosovë.

Kjo masë vlen edhe për personat që ecin vetëm në rrugë.

Nënkryetarja e Mitrovicës së Veriut, Adrijana Hoxhiq, ka thënë të dielën se ka respektuar masat mbrojtëse për luftim të pandemisë në vendvotim, ndonëse në ambientet e jashtme ajo është parë pa maskë.

Kur është pyetur nga Radio Evropa e Lirë se pse ajo, bashkë me disa persona tjerë janë parë në rrugë pa maska, ajo ka thënë se shumica prej tyre kanë qenë të vaksinuar.

“Në vendvotime besoj se të gjithë kemi pasur maska. Fakt është që një pjesë e mirë e qytetarëve nuk mbanin maska mbrojtëse në vende të hapura, por është gjithashtu është fakt se shumica e këtyre njerëzve në fakt ishin të vaksinuar”, ka thënë Hoxhiq.

Të dielën, më 17 tetor, Kosova po mban zgjedhjet lokale.

Autoritetet kanë bërë thirrje për respektim të masave kundër koronavirusit, duke përfshirë mbajtjen e maskës, ruajtjen e higjienës dhe distancës fizike.

Në orët e hershme të mëngjesit të së dielës, në grup janë parë edhe anëtarë të Listës Serbe.

Disa prej tyre po ashtu nuk kanë pasur maska dhe as nuk kanë respektuar distancën fizike./REL








Të ngjashme