Reagon Kina: Kush luan me zjarrin do të digjet

Vizita e një zyrtari të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ishullin e Tajvanit, ka shkaktuar shqetësime në Kinë. Shteti komunist ka njoftuar se po kryen stërvitje ushtarake me zjarr të vërtetë pranë ngushticës së Tajvanit, me argumentin për “të mbrojtur sovranitetin e saj”.

Stërvitjet ushtarake në det me zjarr të vërtetë vijnë në një kohë kur SHBA ka rritur mbështetjen për Tajvanin. Prej dekadash, kjo është vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në këtë ishull. Keith Krach është zyrtari më i lartë nga Departamenti Amerikan i Shtetit që viziton ishullin.

Ndërsa Kina e konsideron Tajvanin si provincë të saj të shkëputur.  Zëdhënësi i Ministrisë kineze të Mbrojtjes akuzoi SHBA-në dhe Tajvanin për rritjen e bashkëpunimit mes tyre duke shkaktuar shqetësime, por nuk bëri asnjë koment për vizitën e zyrtarit amerikan.

Ata që luajnë me zjarrin do të digjen”, tha ai para gazetarëve, duke shtuar se përdorimi i Tajvanit nga SHBA është një përpjekje për të kontrolluar Kinën.

Ndërsa Uashingtoni ka deklaruar se zyrtari ameirikan Krach ka shkuar në Tajvan për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore për presidentin e ndjerë Lee Teng-hui. Gjatë vizitës në këtë ishull, do të takohet me presidentin tajvanez Tsai Ing-wen si dhe me zyrtarë të tjerë. /tvklan.al